SHBA distancohet nga sulmet izraelite në Iran, ndërkombëtarët dënojnë aktin: Të ndalet përshkallëzimi i konfliktit në rajon

SHBA është distancuar nga sulmet izraelite në Iran duke thënë se nuk është e përfshirë në bombardimin e lokacioneve bërthamore iraniane, një përshkallëzim që kërcënon ta çojë rajonin më thellë në konflikt.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se Izraeli kishte ndërmarrë “veprime të njëanshme”, ndërsa paralajmëroi Iranin të mos hakmerrej kundër SHBA-së.
“Ne nuk jemi të përfshirë në sulme kundër Iranit dhe përparësia jonë kryesore është mbrojtja e forcave amerikane në rajon. Le të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat ose personelin e SHBA-së. Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe për të mbetur në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë”, tha Rubio.
Ndërsa SHBA është distancuar nga operacioni izraelit, Irani e akuzon atë si “bashkëpunëtor” në një sulm që ka “vrarë fëmijë”. Sulmet izraelite, të quajtura operacioni “Luani në Ngritje”, shënjestruan programin bërthamor të Iranit dhe objektiva ushtarake.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmi ishte i nevojshëm për shkak të lëvizjes së vazhdueshme të Iranit për të “armatosur” uraniumin e pasuruar dhe ishte kritik për “vetë mbijetesën e Izraelit”.
Sulmi Izraelit në Iran është kritikuar edhe nga shtetet e tjera, të cilët kanë shprehur shqetësim se ky veprim do të rrisë edhe më shumë konfliktet në rajon.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite dënoi me forcë sulmin duke thënë se “agresioni flagrant izraelit” minon “sovranitetin dhe sigurinë e Iranit dhe përbën një shkelje të qartë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, “dënon çdo përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme”, ndërsa u bëri thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje.
Kryeministri britanik Keir Starmer u bëri thirrje palëve të tërhiqen dhe të ulin tensionet, duke shtuar se është koha për përmbajtje dhe diplomaci.
“Përshkallëzimi nuk i shërben askujt në rajon. Stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë përparësi dhe ne po angazhojmë partnerë për të ulur tensionet. Tani është koha për përmbajtje, qetësi dhe kthim në diplomaci”, tha Starmer.
Ambasada e Kinës në Iran e quajti situatën “të rëndë dhe komplekse”, duke u bërë thirrje qytetarëve kinezë në vend që të monitorojnë nga afër zhvillimet dhe të rrisin masat e tyre të sigurisë, duke përfshirë shmangien e zonave të ndjeshme ose të mbushura me njerëz.
Sulmet izraelite janë dënuar edhe nga Japonia, ku ministri i jashtëm Takeshi Iwaya, duke bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët.
“Ne e dënojmë fuqimisht veprimin e fundit që përshkallëzon situatën. Paqja dhe stabiliteti në rajonin e Lindjes së Mesme janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Japoninë dhe ne i nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtjen maksimale dhe të qetësojnë situatën”, tha ai.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Randhir Jaisëal, tha se vendi po “monitoronte nga afër situatën në zhvillim, duke përfshirë raportet që lidhen me sulmet ndaj centraleve bërthamore”, dhe u bëri thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin.
Edhe Omani, i cili ishte dhe vendi ndërmjetës i bisedimeve bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit, ka dënuar sulmet izraelite.
“Omani e konsideron Izraelin përgjegjës për këtë përshkallëzim dhe pasojat e tij, dhe i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të marrë një qëndrim të qartë dhe të vendosur për të ndaluar këtë qasje të rrezikshme, e cila kërcënon të përjashtojë zgjidhjet diplomatike dhe të minojë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, tha qeveria e Omanit.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, ishte “e alarmuar nga përshkallëzimi midis Izraelit dhe Iranit”. Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve të japin përparësi dialogut dhe diplomacisë, duke thënë: “Kjo rrezikon të destabilizojë më tej një rajon që është tashmë i paqëndrueshëm”.
Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, i quajti sulmet “një zhvillim vërtet të padëshiruar në Lindjen e Mesme”, duke paralajmëruar se “rreziku i llogaritjeve të gabuara është i lartë”.
/rtsh.al/