E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA do të marrin të gjitha masat kundër gripit të derrave

Presidenti Barak Obama tha se qeveria do të marrë të gjitha masat e duhura për të kontrolluar përhapjen e gripit të derrave, pas njoftimit për vdekjen e parë nga ky virus në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Obama tha sot në Shtëpinë e Bardhë se Shtetet e Bashkuara po marrin të gjitha masat parandaluese ndaj përhapjes së sëmundjes dhe po ndjekin nga afër gjendjen.

Dr. Riçard Beser, drejtori i përkohshëm i Qendërs amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, konfirmoi sot për rrjetin televiziv CNN se viktima ishte një fëmijë 23 muajshe në shtetin e Teksasit, në kufirin verior të Meksikës, qendra e kësaj sëmundjeje.

Kjo është vdekja e parë nga gripi i derrave jashtë Meksikës, ku dyshohet të kenë vdekur 159 veta. Ministri i Shëndetsisë së meksikës, Hose Kordova u tha dje vonë gazetarëve se janë konfirmuar 26 raste të gripit të derrave, mes tyre 7 vdekje. Ai tha se mbi 1 mijë e 300 veta me simptoma vazhdojnë të qëndrojë në spital.

Numri i rasteve të gripit të derrit në Shtetet e Bashkuara ka arritur në të paktën 65 vetë, ndërsa qeveritë në gjithë botën intensifikojnë përpjekjet për të luftuar epideminë.

Dje, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Obama i kishte kërkuar Kongresit që të akordojë 1.5 miliardë dollarë për të luftuar gripin e derrave, ndërsa shteti i Kalifornisë që është në kufi me Meksikën, ka shpallur gjendjen e emergjencës për t'u përballur me epideminë. Gazeta Los Angelos Times tha se zyrtarët po hetojnë për dy vdekje në këtë shtet, që mund të kenë qenë të lidhura me virusin.   (ze)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›