E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH ngre nivelin e paralajmërimit për gripin e derrave

Organizata Botërore e Shëndetësisë ngriti nivelin e paralajmërimit për gripin e derrave duke deklaruar se një epidemi globale mund të jetë e afërt.

Drejtoresha e Përgjithshme e kësaj organizate, Margaret Chan e bëri njoftimin të mërkurën mbrëma në Gjenevë. Ajo u bëri thirrje të gjitha vendeve të venë në veprim planet e përgatitjes kundër një pandemie.

Niveli i ri i paralajmërimit, faza 5, është vetëm një hap nën shpalljen e pandemisë, e cila përkufizohet si sëmundje që përhapet në një zonë të gjerë gjeografike dhe që prek një pjesë jashtëzakonisht të madhe të popullatës.  

Gripi i derrave mendohet të ketë shkaktuar vdekjen e 159 personave dhe prekjen e rreth 2500 njerëzve në Meksikë. Shtetet e Bashkuara konfirmuan vdekjen e parë nga ky grip, nga rreth 100 të prekur me këtë sëmundje.

Zyrtarët amerikanë njoftuan se viktima e parë në Shtetet e Bashkuara ishte një djalë 23 muajsh në shtetin e Teksasit në kufi me Meksikën. Fëmija ishte nga Meksika dhe kishte ardhur në Amerikë për të vizituar familjen.

Vende të tjera me raste të konfirmuara të gripit të derrave janë Austria, Britania, Kanadaja, Kosta Rika, Gjermania, Izraeli, Spanja dhe Zelanda e Re. Australia, Kolumbia, Franca, Danimarka dhe Koreja e Jugut janë mes vendeve që po hetojnë raste të dyshuara të sëmundjes. //ii

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›