SHBA i bën presion Evropës për rezervat e naftës, kërcënon me ndalim të eksporteve

Presidenti Donald Trump deklaroi se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të hedhin në treg një pjesë nga rezervat e tyre të naftës, ndërsa po shqyrton ndalimin e eksporteve të karburantit nga SHBA-ja.
Komentet e presidentit amerikan erdhën pasi Sekretari i Thesarit Scott Bessent, i bëri thirrje Evropës që të përgatitet menjëherë për të nxjerrë në treg rezerva të tilla, duke argumentuar se fermerët, drejtuesit e kamionëve dhe bizneset amerikane nuk duhet të mbajnë barrën ndërsa çmimet rriten ndjeshëm. SHBA ka kërcënuar se do të kufizojë eksportet e naftës për shkak të rritjes së madhe të kostove si pasojë e luftës në Iran.
Të enjten, Mbretëria e Bashkuar zhvilloi bisedime me partnerët evropianë për mundësinë e nxjerrjes së rezervave të naftës në rast të një ndalimi të eksporteve amerikane. SHBA-ja është një furnizues shumë i rëndësishëm i naftës për botën, duke eksportuar nga 1.2 deri në 1.5 milionë fuçi në ditë.
Ekspertët paralajmërojnë se ndalimi i dërgesave jashtë vendit mund të ushtrojë presion edhe më të madh mbi çmimet në vendet e tjera. Çmimet e benzinës dhe naftës në mbarë botën janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës SHBA-Izrael në Iran më 28 shkurt e cila çoi edhe në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, nga ku para luftës kalonte rreth një e pesta e naftës dhe gazit global.
/rtsh.al/