SHBA-ja dhe Irani në një takim
Për herë të parë një zyrtar i lartë amerikan do të marrë pjesë në një takim mes fuqive të mëdha dhe Iranit.Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, William Burns, do të marrë pjesë në takimin që zhvillohet të shtunën në Gjenevë, krahas negociatorit iranian për çështjet bërthamore, Saeed Jalili, dhe diplomatëve nga Kina, Rusia dhe Bashkimi Evropian.
Në këtë tamim shumëpalësh do të diskutohet çështja e programit bërthamor të Iranit.
Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se zoti Burns do të marrë pjesë në këtë takim vetëm për të dëgjuar dhe nuk do të ketë mandat për të zhvilluar negociata.
Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, tha të premten në Uashington se pjesëmarrja e zyrtarit amerikan në këtë takim nuk do të thoshte ndryshim të politikës amerikane ndaj Iranit.
"Irani është një shtet i vështirë dhe i rrezikshëm. Ai po ndjek politika që janë të rrezikshme për miqtë tanë si dhe për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, sidomos me mbështetjen që i jep terrorizmit dhe hapat që po hedh për prodhimin e një arme bërthamore", tha zonja Rice.
Por ajo tha se Uashingtoni mirëpret çdo ndryshim në politikën që ka ndjekur deri tani Teherani.
"Ne e kemi bërë të qartë se çdo vend mund ta ndryshojë kursin që ndjek. Ne nuk kemi armiq të përhershëm. Ne do të shohin ç'do të ndodhë në takimin e së shtunës", tha sekretarja amerikane e shtetit.
Këtë javë u njoftua se muajin e ardhshëm Shtetet e Bashkuara do të vendosin për të dërguar misionin e parë diplomatik në Iran që prej vitit 1979.