E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat personale Transferimi i kredisë, shpesh pa interes

 

Transferimi i kredive nga një bankë te një tjetër, deri më sot ka qenë vetëm një ofertë vetëm për biznesin e madh, të cilët përfituan në këtë mënyrë nga ulja e kostos së përgjithshme të kredive në tregun shqiptar. Por kohët e fundit, disa banka kanë filluar të ofrojnë transferimin e kredive edhe për individët. Por ekspertët këshillojnë kujdes për kredimarrësit që pranojnë oferta të tilla. Ofertat e bankave në kredidhënie, në rastin e Shqipërisë zbatojnë standarde të ndryshme dhe forma indirekte çmimesh. Nga ana tjetër, pothuajse të gjitha bankat, kanë klauzola dënuese për klientët që e shlyejnë kredinë para kohe dhe se për të dalluar interes ekonomik nga transferimi i kredisë, shpesh nuk mjafton as të qenit “konsumator i vëmendshëm”. Për më tepër, koha dhe vitet në vijim, vlerësohen si të papërshtatshëm për ndryshimin e kredive me interes të fiksuar.

Ofertat në treg

Teorikisht, transferimi i kredisë nga një bankë te një tjetër, ose më saktë, zëvendësimi i kredisë ekzistuese, me një kredi të re, bëhet për interesa më të ulëta ose për të zgjatur afatin e shlyerjes me qëllim uljen e kësteve mujore. Interesat e kredive variojnë përgjithësisht nga shumë kushte, ku normat e interesit të bankave qendrore janë më me ndikim. Në vitet e bumit të kredive në Shqipëri, pra vitet 2004-‘06, interesat në tregun ndërkombëtar qenë më të ulëtat në shumë dekada, por në Shqipëri, nuk vërehej i njëjti trend. Në vitin 2005, pati një shtim të konkurrencës së bankave për kredimarrës të mëdhenj, për pasojë pati edhe një farë ulje interesash, dhe shumë kompani kryen operacionin e transferimit të kredive duke marrë interesa më të ulëta. Megjithatë, shumë kompani nuk transferuan kreditë vetëm për interesa të ulëta. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, i transferoi para së gjithash për zgjatjen e afateve të shlyerjes. Nga ana tjetër, kompanitë kanë ekspertët e duhur për të vlerësuar se kur një ofertë për transferim kredie sjell edhe ulje kostosh e kur jo. Individët do ta kenë më të vështirë.

Mos shih vetëm interesin

Oferta më e zakonshme për transferim kredie, shpall me të madhe një interes të ulët, por nga krahasimi i interesave të reklamuar nga bankat, me interesat mesatare të kredive të llogaritura nga Banka e Shqipërisë, vërehet se shumica dërrmuese e reklamave janë të gënjeshtërta. Ndonëse duke parë reklamat e bankave, duket sikur interesat e kredive kanë rënë gjatë vitit të fundit, në statistikat e BSH, nuk vërehet një rënie kaq e madhe. Interesat e kredive në lekë janë luhatur nga 10 deri në 15% gjatë vitit të fundit, dhe nuk vërehet ndonjë tendencë e përgjithshme rënieje që reklamohet me bollëk nga bankat.

Zakonisht, ofertat për transferimin e kredive mbartin, përveç premtimit për interesa më të ulëta, edhe ndryshim nga interesa fikse në interesa të luhatshme apo anasjelltas. Në këto ndryshime të vockla që shpesh fshihen pas kontratës së gjatë në klauzola në dukje të parëndësishme, qëndrojnë edhe kosto të padukshme për klientin. Nga ana tjetër, duke mos patur kontrata tip, të gjitha bankat kanë zbatuar rregullat e veta dhe zakonisht çdo kontratë huamarrjeje në Shqipëri mbart penalitete të rënda, të cilat jo vetëm që bëjnë të paleverdishme ekonomikisht transferimin e kredisë, por shpesh nxjerrin të pavlefshëm edhe vetë shlyerjen e parakohshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›