SHBA-ja, kombi që nuk u përul përballë monstruozitetit të terrorizmit

Amerikanët jetojnë në një shtet i cili është mbretëria e të drejtave dhe lirive të njeriut, ku liritë fetare dhe liria e fjalës qëndrojnë të ekuilibruara, një vend në të cilin ndërtimi i një ndërtese dhe djegia e një libri janë të drejta që shtrihen për të gjithë, një vend ku parimet demokratike kanë arritur kulmin e tyre, ku fjala “përulje” nuk bën pjesë në fjalorin e tyre dhe në momentin kur ata harrojnë se janë amerikanë, është pikërisht momenti kur terrorizmi fiton Kur sheh përvjetorin e 11 shtatorit, dhimbjen e familjarëve të viktimave momentin e qetësisë në orën kur avionët u përplasën, çdo 11 shtator i çdo viti të rikujton impaktin e madh që kjo datë pati tek të gjithë ne dhe fuqinë e popullit amerikan për t’i bërë ballë sulmeve të tilla. Nëntë vjet më parë ne pamë botën të ndalonte rrotullimin e saj në kontinentin e Amerikës së veriut. Ne pamë pafajësinë e një kombi të shpërbëhet në qiell dhe në tokë. Ne pamë fytyrën e të keqes në shtëllungat e tymit. Ky ishte 11 shtatori i vitit 2001, dita kur e gjithë bota, pavarësisht diversitetit kulturor, politik, ekonomik, i ktheu sytë nga kryeqyteti i planetit duke u shokuar me sulmin terrorist në zemrën e saj. Ndryshe nga sulmet e tjera terroriste, këtë herë mbreti i terrorit nuk erdhi nga toka por nga ajri. Ashtu si gjithë të tjerët edhe unë pasi ndeza televizorin, kuptova se kjo ditë nuk do të ishte njësoj si ditët e tjera të shtatorit. Kur ndeza televizionin, stacionet prestigjioze televizive, si CNN, BBC, etj... na transmetonin pamje ku qytetarët amerikanë na shfaqeshin si statuja të ngurtësuara kur avioni i parë goditi njërën nga kullat, më pas zhurma e një avioni të dytë dhe përplasja e saj me kullën tjetër i bëri ata të ndryshonin këtë “gjendje agregate” për të vrapuar ashtu si vrapimi i një zebre kur kërkon t’i shpëtojë kthetrave të tigrit ose luanit. Në televizion pashë imazhet e figurave të vogla që dukeshin si zogj në dritaret e kullave me tym, vetëm se ato nuk ishin zogj por njerëz të detyruar nga flakët, njerëz të detyruar të bënin zgjedhje të pamundura në rrethana të pamundura. Të gjithë i pamë kullat teksa rrëzoheshin duke rënë nga qielli, poshtë nga retë, një skenë drithëruese, befasuese dhe e pabesueshme, emocione që na pushtojnë trupin vetëm kur shohim ndonjë film të regjisorit Stiven Spilberg. Në ato momente, koha mu ndal edhe mua, ngriva në vend. Qëndrimi im atë ditë ishte i njëjtë me qëndrimin e shumicës së amerikanëve: terroristët nuk duhet të fitojnë. Një shtet i fuqishëm si SHBA-ja nuk do të lejonte që të përkulej, por përkundrazi do të tregonte muskujt e saj të fuqishëm, ashtu siç bëri më 7 dhjetor të vitit 1945, kur u godit nga një sulm prej skuthi nga perandoria japoneze në Pearl Harbor. Madhështia e saj do të shkëlqejë dhe idetë e lirisë do të mbeten një fener që do të ndriçojë botën. Duke e parë në një prizëm multidimensional për nga pasojat që lanë sulmet e 11 shtatorit, ato nuk ishin vetëm një sulm vetëm ndaj Amerikës, ato ishin gjithashtu edhe një “11 shtator” mbi një fe, mbi një besim i cili udhëheq botën shpirtërore të qindra milionave njerëz, Islamit. Kjo mbase mund të jetë arsyeja se debati për islamin në Amerikë, duke filluar nga propozimi i komunitetit islamik për ndërtimin e një xhamie deri tek djegia e Kuranit janë kaq të vështira për t’u vëzhguar dhe analizuar. Një pjesë e debatit duket se është përqendruar rreth ndjeshmërisë së terroristëve të cilët kanë rrëmbyer pasionet e një besimi, të cilët duan të shohin ndërtesa të shkatërruara dhe njerëz të djegur dhe që kërkojnë të rekrutojnë sa më shumë shpirtra të brengosur për kauzën e tyre. Por çfarë solli në të vërtetë 11 shtatori, çfarë i rikujtoi amerikanëve dhe mbarë botës? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, le të kthehemi mbrapa në kohë, aty ku rreziku i një shfarosje apokaliptike jetonte me amerikanët. Gjatë gjithë intervalit kohor 1945-1991, amerikanët përpos lëndëve historike, filozofike, matematikore, si pasojë e ekzistencës së këtij rreziku mësonin edhe sesi të qëndronin në gatishmëri, pasi supozohej se nga minuti në minutë Bashkimi Sovjetik mund t’i hidhte bombë atomike SHBA-së. E tërë kjo frikë, pra të çohesh në mëngjes dhe të gëzohesh se po sheh diellin duke thënë, “falë zotit jam gjallë edhe sot” i shoqëroi amerikanë deri në fund të Luftës së Ftohtë. Mbarimi i kësaj të fundit e zhduku disi paranojën e qytetarëve ndaj kërcënimeve, por pas 11 shtatorit duket se është krijuar një paranojë e re ndaj ekstremistëve dhe kërcënimeve që ata paraqesin. Megjithatë, një komb i cili themelet e tij i ka ndërtuar tek parimet universale të njerëzimit dhe me besimin tek zoti, është një ushtar i cili do të tregohet i pathyeshëm në fushëbetejat ndaj terrorizmit. Amerikanët jetojnë në një vend të lirisë së njeriut, ku liritë fetare dhe liria e fjalës qëndrojnë të ekuilibruara, një vend në të cilin ndërtimi i një ndërtese dhe djegia e një libri janë të drejta që shtrihen për të gjithë ,një vend ku parimet demokratike kanë arritur kulmin e tyre , ku fjala “frikë” dhe “përulje” nuk bën pjesë në fjalorin e tyre dhe në momentin kur ata harrojnë se janë amerikanë,është pikërisht momenti kur terrorizmi fiton.
...