SHBA kërcënon Iranin, shet armë në rajon
Izraeli merr avionë për furnizimin në ajër me karburant, pika e dobët e planit të bombardimit
Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, deklaroi dje se një marrëveshje për shitje armësh me vlerë 10 miliardë dollarësh me aleatët arabë dhe me Izraelin synon ti dërgojë një sinjal të qartë Iranit se opsioni ushtarak për zgjidhjen e krizës mbetet në tryezën e bisedimeve për programin bërthamor të Teheranit.
Konkluzioni është se Irani përbën një kërcënim, një kërcënim real, tha Hagel, i cili gjendet në një vizitë në Izrael, vizita e parë e tij jashtë vendit në rolin e sekretarit të Mbrojtjes.
Iranianët duhet të ndalohen dhe të mos lejohet të zhvillojnë kapacitetet për të prodhuar armë bërthamore apo për të sulmuar me armë bërthamore, tha ai.
Hagel do të takohet me zyrtarët e Izraelit këtë javë ndërsa bisedimet mes Perëndimit dhe Iranit janë bllokuar.
Vizita e Hagel në Lindje të Mesme erdhi dy ditë pasi Pentagoni njoftoi se po përfundonte marrëveshjen për të fuqizuar ushtritë e Izraelit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëveshja përfshin shitjen e avionëve KC-135 teK Irani, avionë që përdoren për furnizim në ajër të avionëve gjuajtës, si dhe të raketave të mbrojtjes antiajrore e avionë V-22 për transport trupash. Te Emiratet do të shiten 25 avionë F-16. Emiratet dhe Arabia Saudite do të lejohet të blejnë armë që do ti mundësojë të godasin një armik me precizion në distancë.
I pyetur nëse këto marrëveshje përbëjnë një mesazh se opsioni ushtarak vijon të jetë në diskutim në rast se Teherani zhvillon armë bërthamore, Hagel tha: Nuk mendoj se ka ndonjë pyetje këtu, ky është një sinjal i qartë për Iranin.
Por ai shtoi se opsioni ushtarak ka qenë i qartë për Iranin tashmë prej disa kohësh dhe se marrëveshjet për shitjet e armëve qenë vijim i politikës amerikane për të ruajtur të ashtuquajturin avantazh ushtarak cilësor të Izraelit, një politikë që furnizon me armë të teknologjisë së lartë shtetin hebraik.
Irani i mohon akuzat perëndimore se po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore, duke argumentuar se synon vetëm të prodhojë energji elektrike.
Izraeli konsiderohet si fuqia e vetme bërthamore në Lindjen e Mesme, pavarësisht se nuk njihet për i tillë zyrtarisht. Ky shtet ka përsëritur vazhdimisht se mendon të bombardojë impiantet e prodhimit të uraniumit në Iran, por deri më tani, avionët e tij nuk janë në gjendje të përshkruajnë distanca të tilla pa furnizim me karburant në rrugën e kthimit.
Hagel, i cili u përball me rezistencë nga Senati gjatë emërimit të tij si sekretar Mbrojtjeje për shkak se disa senatorë vunë në pikëpyetje gatishmërinë e tij për të mbështetur Izraelin, tha se një nga arsyet e vizitës së tij ishte ofrimi i garancive për Izraelin se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për sigurinë e tyre.
I pyetur mbi debatin e rigjallëruar mediatik në Izrael ku thuhet se ky shtet mund të godasë më vete Iranin, Hagel tha se çdo vend sovran ka të drejtë të mbrojë veten.
Irani përbën kërcënim me programin e vet bërthamor dhe Izraeli do të marrë vendime për të mbrojtur veten, tha ai.
Por Hagel shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera besojnë gjithashtu se ka ende kohë për diplomaci dhe se sanksionet e ashpra ndërkombëtare kanë pasur efektin e dëshiruar.
Opsioni ushtarak është një prej opsioneve në diskutim dhe duhet të mbesë në diskutim, tha ai. Por opsionet ushtarake, mendoj se shumica jonë i shohin si opsioni i fundit.
Pas Izraelit, Hagel do të vizitojë Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Vizita e tij vjen ndërsa ka frikë për stabilitetin rajonal të krijuar nga programi bërthamor i Iranit, tranzicioni i vështirë drejt qeverisjes civile në Egjipt dhe lufta civile në Siri.
SHBA kërcënon Iranin, shet armë në rajon burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email