Saga Hajdin Sejdia nuk ka fund
Mashtrues, i burgosur shumë herë dhe që sërish kthehet me kontrata inekzistente
Biznesmeni në kërkim nga Interpoli për mashtrime bankare në Emiratet e Bashkuara është pronar aksionesh në pesë biznese në Kosovë, ndërkohë që në Shqipëri ka marrë me koncesion një park industrial.
Biznesmeni kosovar që kërkohej nga Emiratet e Bashkuara Arabe përmes Interpolit për mashtrime kishte krijuar dhe mbante biznese aktive në Kosovë e Shqipëri gjatë dekadës së fundit.
Hajdin Sejdia u arrestua rreth një javë më parë, më 15 prill, nga policia e Shqipërisë, teksa hynte në territorin shqiptar nëpërmjet pikë-kalimit në Morinë.
Ndaj tij u shqiptua masa prej 40 ditësh paraburgim. Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kërkojnë ekstradimin e tij. Ai kërkohej nga Interpoli për shkak të mashtrimeve bankare në Emirate.
Pavarësisht kërkesës së shtetit arab, Sejdia po bënte biznes në Shqipëri dhe kishte fituar edhe kontrata publike.
Zyra e Interpolit në Tiranë konfirmoi për gazetën Jeta në Kosovë se Sejdia ishte në kërkim ndërkombëtar, por nuk pranoi të bëjë publike se prej cilës kohë kërkohej nga policia ndërkombëtare.
Gazeta Shqip në Tiranë, pas arrestimit të biznesmenit, raportoi se një kompani e tij kishte fituar një tender të qeverisë në qershor të vitit 2012.
Kompania Sky Master Projekt Holding sh.a ishte shpallur fituese për të marrë me koncesion një park industrial në Durrës, përkatësisht në zonën e Spitallës.
Zona e Spitallës (lagje e vjetër në Durrës) ndodhet shumë pranë Porto Romanos, e përfolur për rëndësinë që ka në fushën e hidrokarbureve, madje është përfshirë në disa hetime të prokurorisë, pasi dyshohej se disa subjekte kryenin pastrim parash, raportoi gazeta Shqip.
Sejdia zotëron 100 për qind të aksioneve në këtë kompani.
Kompania ka për aktivitet biznesi tregtimin e karburanteve, prodhimin dhe transmetimin e energjisë elektrike, ndërtimin dhe projektimin e objekteve të ndryshme civile, industriale dhe të infrastrukturës.
Kompania ka në fokus edhe biznesin e minierave.
Bizneset e Hajdin Sejdisë në Kosovë
Sejdia nuk kishte krijuar biznese vetëm në Shqipëri. Emri i tij figuron si aksioner në pesë biznese të regjistruara në Kosovë.
Ai është aksioner në Hi Tech Energy Kosova sh.p.k, një kompani që ka si datë konstituimi 4 marsin e vitit 2009. Kompania ka dy punëtorë të regjistruar dhe një kapital themelues në vlerë prej 200 mijë eurosh.
Aktivitetet e saj specifikohen se janë prodhimi i pajisjeve të energjisë elektrike, si dhe ndërmjetësimi në tregtinë e makinave, të pajisjeve industriale, anijeve dhe aeroplanëve.
Një kompani tjetër me të njëjtën veprimtari është F.H.S-Turbine System sh.p.k. Edhe në këtë kompani, Sejdia figuron si pronar aksionesh. Kompania ka dy punëtorë të regjistruar dhe ka për datë konstituimi 18 majin e vitit 2009.
Kapitali themelues i kompanisë është 500 mijë euro. Një kompani tjetër ku aksioner është Sejdia është Akadeniz Balkan, në të cilën aksionerë janë edhe dy biznesmenë turq. Kompania është e regjistruar si firmë ndërtimi më 23 shkurt të vitit 2009 dhe kapitali themelues i saj është në vlerë prej 1 milion eurosh.
Deutsche Kompetenz Bau Kosova-H sh.p.k figuron se ka për datë konstituimi 27 prillin e vitit 2006 dhe se ka një kapital themelues prej 1 milion eurosh.
Kompania ku figuron si aksioner Sejdia është e regjistruar për veprimtari arkitekture dhe inxhinierike, ndërtim autostradash e aeroportesh. Në këtë kompani, pronarë aksionesh janë edhe katër afaristë gjermanë.
TEK-Çelik Kosova Construction and Enginering sh.p.k është një kompani ku Sejdia është bashkëpronar krahas një kompanie tjetër.
Kapitali themelues i kompanisë është 1 milion euro. Kompania është e regjistruar për ndërtim. Ka të regjistruar dy punëtorë dhe ka për datë konstituimi 3 shkurtin e vitit 2009.
Kapja e biznesmenit
Policia arrestoi Hajdinë Sejdinë në pikë-kalimin kufitar në Morinë më 15 prill të këtij viti. Më 17 prill, gjykata vendosi masën prej 40 ditësh paraburgim.
Masa e sigurisë është dhënë me 40 ditë afat, e cila do ti shërbejë organeve të drejtësisë për të bindur gjykatën të lejojë ekstradimin drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, raportoi media shqiptare.
Por, menjëherë pas arrestimit, policia e qytetit të Kukësit është detyruar ta shtrojë Sejdinë në spital pasi ai ka pasur luhatje tensioni dhe nuk është ndier mirë.
Gazeta raportoi se Sejdia prej kohësh lëvizte edhe jashtë Shqipërisë pa u ndaluar, edhe pse policia bën me dije se ndaj tij ekzistonte një urdhër kërkimi nga Interpoli.
Ende nuk dihet pse arrestimi i tij vjen pikërisht në këtë moment ku Sejdia prej disa kohësh është rikthyer në Shqipëri dhe ushtronte aktivitetin si aksioneri kryesor i një parku industrial në Spitall të Durrësit, raportoi Shqiptarja.com.
Një medium tjetër në Tiranë, gazeta Shqip, raporti se burime të saj brenda Prokurorisë së Përgjithshme kanë pohuar se së shpejti në Tiranë do të vijë dosja kundër Sejdisë nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ata (autoritetet e drejtësisë në Emiratet e Bashkuara Arabe) kanë pasur informacione se ky person, që hiqej si biznesmen, ka pasur tregti me këtë vend, ndërsa nuk na kanë servirur të tjera dokumente. Gjithashtu, ata kanë pasur të dhëna se ai fshihej në Kosovë, vendlindjen e tij, ku shpeshherë vizitonte edhe Shqipërinë, ku kishte krijuar edhe një aktivitet tregtar, raporti gazeta Shqip duke u bazuar në burime të saj brenda Prokurorisë së Përgjithshme.
Ndërkohë autoritetet në Kosovë u pyetën se a kishin kërkuar Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmë për arrestimin e biznesmenit dhe se prej kur kishte hyrë në fuqi kërkesa për kapjen e tij.
Autoritetet nuk dhanë përgjigje. Po ashtu nuk dhanë përgjigje se prej kur kishte hyrë në fuqi vendimi i Interpolit për kërkimin e Hajdin Sejdisë.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar, që komunikon me Interpolin, operon në kuadër të Policisë së Kosovës.
Shefi i kësaj zyre, Veton Elshani, nuk dha një përgjigje kur u pyet rreth këtij rasti. EULEX-i pohoi se rasti nuk është përgjegjësi e këtij misioni.
Me ekstradime ose ndihmë ligjore ndërkombëtare merren ministritë përkatëse në Kosovë, tha Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it.
Ministria e Punëve të Brendshme pohoi se kjo çështje nuk i takon asaj. Ministria e Punëve të Brendshme nuk përfshihet në punën operacionale të Policisë së Kosovës, kështu që iu lusim që për çdo interesim për këto çështje ti drejtoheni Policisë së Kosovës, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të MPB-së.
Këshilltar i Nanos e i Berishës
Sejdia, në vitin 1991, ishte emëruar këshilltar ekonomik e komercial i kryeministrit të atëhershëm shqiptar, Fatos Nano.
Ai ishte kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit e cila kishte për qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri. Në mars 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe president u bë Sali Berisha.
Nano u burgos për shkak të akuzave për korrupsion e abuzim detyre. Njëra prej pikave ishte favorizimi i këshilltarit të tij Hajdin Sejdisë.
Hajdin Sejdia ishte në krye të një kompanie të quajtur Iliria Holding, e cila në atë kohë nënshkroi një marrëve