E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA lëshon alarm të ri: Qytetarët amerikanë në Iran të largohen shpejt ose të shkojnë në vende të sigurta

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lëshuar një paralajmërim të ri sigurie për Iranin, duke u bërë thirrje qytetarëve të saj që ndodhen në vendin e Lindjes së Mesme të largohen sa më parë ose, nëse kjo nuk është e mundur, të strehohen në vende të sigurta. Sipas një njoftimi zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, protestat në mbarë Iranin po përshkallëzohen dhe situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme.

Autoritetet amerikane paralajmërojnë për rritje të masave të sigurisë nga ana e forcave iraniane, mbyllje të rrugëve kryesore, ndërprerje të transportit publik dhe bllokime të vazhdueshme të internetit. Këto masa po e vështirësojnë ndjeshëm lëvizjen dhe komunikimin, si për banorët vendas ashtu edhe për shtetasit e huaj.

Në njoftim thuhet gjithashtu se disa linja ajrore kanë kufizuar ose anuluar fluturimet nga dhe drejt Iranit, ndërsa disa kompani kanë pezulluar plotësisht shërbimet e tyre deri të premten, më 16 janar. Kjo situatë e bën edhe më të vështirë largimin ajror nga vendi.

Departamenti i Shtetit u rekomandon qytetarëve amerikanë të përgatiten për ndërprerje të gjata të internetit dhe të planifikojnë mënyra alternative komunikimi. Nëse kushtet e sigurisë e lejojnë, ata këshillohen të konsiderojnë largimin nga Irani përmes rrugëve tokësore, veçanërisht drejt Armenisë ose Turqisë.

Autoritetet amerikane theksojnë se situata mund të ndryshojë shpejt dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin me kujdes udhëzimet zyrtare dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet më të fundit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›