E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA miraton shitjen e raketave Patriot në Ukrainë, Zelensky paralajmëron për vonesa

Departamenti amerikan i Shtetit ka dhënë dritën jeshile për shitjen e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore, Patriot, në Ukrainë, në vlerë prej 2.1 miliardë dollarësh. Kievi thotë se këto raketa janë jetike për të për t’u mbrojtur nga bombardimet e pareshtura ruse, të cilat në muajt e fundit kanë shënjestruar zonat e banuara dhe infrastrukturën civile.

Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se nevojiten “disa vjet” që 500 raketat të mbërrijnë në Ukrainë.

Duke e mirëpritur vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit si “vendim të fuqishëm”, Zelensky shkroi në një postim në rrjetet sociale se “500 raketa PAC-3 përbëjnë numër të madh” dhe mund të krijojnë një paketë efektive mbrojtjeje për këtë dimër. Megjithatë, ai theksoi se “dërgesat mund të fillojnë vetëm pas disa vjetësh”.

“Po u kërkojmë partnerëve tanë amerikanë të gjejnë një zgjidhje për periudhën kur ekziston një rrezik i vërtetë dhe nevoja për përdorimin e raketave PAC-3”, tha presidenti ukrainas, duke theksuar se infrastruktura energjetike e vendit të tij po sulmohet nga Rusia.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se shitja e propozuar e raketave, të cilat do të blihen me fonde nga Kanadaja, Gjermania dhe Norvegjia, do të mbështesë synimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, “duke përmirësuar sigurinë e një vendi partner që është faktor i stabilitetit politik dhe ekonomik në Evropë”.

Njoftimi për shitjen e propozuar erdhi pasi Zelensky përsëriti më 30 tetor thirrjet drejtuar Shteteve të Bashkuara që të përshpejtojnë dërgimin e raketave parandaluese, të cilat shihen si arma më e mirë kundër sulmeve me raketa balistike nga Rusia.

Në shtator, Komisioni Evropian miratoi 6.1 miliardë euro për prokurimin e pajisjeve të mbrojtjes për Ukrainën.

Lajme të Sugjeruara

Tre aeroplanë me banorë të evakuuar nga Oleshky mbërrijnë në Bjellorusi

Tre aeroplanë me banorë të evakuuar nga Oleshky mbërrijnë në Bjellorusi

Të shtëna me armë në një dyqan Halloween në Kaliforni, një i vdekur dhe 6 të plagosur

Të shtëna me armë në një dyqan Halloween në Kaliforni, një i vdekur dhe 6 të plagosur

Flavio Bolsonaro: Ika nga Brazili për t’i shpëtuar persekutimit

Flavio Bolsonaro: Ika nga Brazili për t’i shpëtuar persekutimit

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›