SHBA ndërpret ndihmën për Kievin: Ne nuk do firmosim më çeqe pa një paqe të qëndrueshme

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se nuk do të ketë më ndihma për Ukrainën. Sekretarja e shtypit e administratës Trump, Caroline Leavitt, deklaroi se SHBA-të nuk do të ofrojnë më ndihmë ushtarake për Kievin, sepse prioriteti janë negociatat e paqes.
Ky vendim erdhi pas polemikave gjatë vizitës së Zelenskyt.
“Ne nuk do të shkruajmë më vetëm çeqe bosh për një luftë në një vend shumë të largët pa një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme. Ishte fantastike që kamerat po xhironin, sepse populli amerikan dhe e gjithë bota panë se me çfarë po merren presidenti Trump dhe ekipi i tij pas dyerve të mbyllura në negociatat me ukrainasit,” tha Caroline Leavitt.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se Zelensky nuk dëshiron paqe.
“Ajo që ai duhet të thotë është: ‘Unë dua të bëj paqe.’ Nuk ka pse të qëndrojë aty dhe të thotë ‘Putin kështu, Putin ashtu,’ vetëm gjëra negative. Ai duhet të thotë: ‘Unë dua të bëj paqe. Nuk dua të merrem më me një luftë”, tha ai.
Situata e paprecedentë në Shtëpinë e Bardhë dhe minutat e tensionit mes Trump dhe Zelenskyt tronditën botën. Udhëheqësit europianë u pozicionuan në krah të Ukrainës pas asaj që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë.
/vizionplus.tv