SHBA paralajmëron Ukrainën: Sinjalizo hapjen e negociatave me Rusinë, ose rrezikon lodhjen e aleatëve

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar qeverinë ukrainase se duhet të sinjalizojë një hapje ndaj negociatave me Rusinë, në të kundërt, nëse Kievi vijon të jetë i mbyllur për këtë çështje, “do t’i lodhë aleatët”
Sipas “Washington Post”, paralajmërimi është bërë privatisht, teksa zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se pozicioni i Ukrainës për negociatat me Rusinë po dobësohet mes aleatëve, të cilët janë të shqetësuar për efektet ekonomike të një lufte të zgjatur. Inkurajimi nuk synon ta shtyjë Ukrainën në tryezën e bisedimeve, por të sigurojë që ajo të mbajë një nivel të lartë moral në sytë e mbështetësve të saj ndërkombëtarë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se Ukraina është e gatshme të hyjë në negociata me Rusinë vetëm nëse trupat e saj largohen nga të gjitha pjesët e Ukrainës, përfshirë Krimenë dhe zonat lindore të Donbasit, të kontrolluara de facto nga Rusia që nga viti 2014.bZelenskiy gjithashtu bëri të qartë se ai nuk do të zhvillojë negociata me udhëheqjen aktuale ruse. Muajin e kaluar, ai nënshkroi një dekret që specifikonte se Ukraina do të negocionte vetëm me një president rus që nuk është Vladimir Putin.
SHBA deri më tani i ka dhënë Ukrainës ndihma në vlerë prej 18.9 miliardë dollarë dhe është e gatshme të japë më shumë, duke thënë se do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet. Megjithatë, aleatët në pjesë të Evropës, Afrikës dhe Amerikës Latine, thanë zyrtarët amerikanë, janë të shqetësuar nga tendosja që lufta po u bën çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, si dhe zinxhirëve të furnizimit.
“Lodhja nga Ukraina është një gjë e vërtetë për disa nga partnerët tanë”, tha një zyrtar amerikan. Ata kanë kërkuar që Kievi të sinjalizojë hapjen e tij për të negociuar që të mos e shtyjë Ukrainën drejt tryezës së negociatave menjëherë, por të ruajë mbështetjen e aleatëve të interesuar.
Për zyrtarët ukrainas, kërkesa e SHBA-së do të nënkuptonte refuzimin e retorikës disamujore rreth nevojës për një disfatë vendimtare ushtarake kundër Rusisë në mënyrë që të garantohet siguria e Ukrainës në afat të gjatë.
Pavarësisht retorikës së fortë, humbja e mbështetjes aleate mund të ketë pasoja për Ukrainën, veçanërisht në aspektin e sanksioneve. Zyrtarët rusë kanë thënë se Kievi po përgatitet të tentojë një ofensivë të dytë për të rimarrë më shumë nga rajoni i pushtuar Kherson. Rimarrja e tij do të kishte një vlerë të madhe simbolike dhe logjistike për Ukrainën pasi Rusia dëshiron që zona të sigurojë një furnizim me ujë për Krimenë, si dhe një urë tokësore për Rusinë. Në një deklaratë në Telegram, administrata e Kherson-it e kontrolluar nga Rusia tha se furnizimet me energji elektrike dhe ujë ishin ndërprerë pasi një “sulm terrorist” dëmtoi tre linja elektrike në pjesën e pushtuar të rajonit.
/rtsh.al/