E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA pezullon përkohësisht sulmet ndaj Iranit, shqetësime për përshkallëzimin e konfliktit dhe rezervat e municioneve

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura amerikane, gjenerali Dan Caine, kanë shprehur shqetësime për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit me Iranin, ndërsa presidenti Donald Trump po shqyrtonte mundësinë e zgjerimit të operacioneve ushtarake.

Lajmi është bërë i ditur nga CNN, duke cituar një burim të njohur me zhvillimet dhe një zyrtar amerikan. Sipas raportimit, gjatë një takimi të zhvilluar të premten në Shtëpinë e Bardhë, gjenerali Caine ngriti shqetësime lidhur me rezervat e municioneve të SHBA-së, si edhe pasojat e mundshme të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.

Ai thuhet se i ka bërë të qartë presidentit se ushtria është në gjendje të zbatojë çdo urdhër, por ka paralajmëruar edhe për rreziqet që mund të sjellë një ofensivë më e gjerë.

Po sipas CNN, operacionet ajrore amerikane ndaj Iranit janë vendosur përkohësisht ‘në pritje’, pas gati dy javësh sulmesh të njëpasnjëshme gjatë natës dhe ende nuk është e qartë nëse ky pezullim lidhet drejtpërdrejt me shqetësimet e ngritura gjatë takimit apo me faktorë të tjerë.

Në një deklaratë, drejtori i Komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, tha se presidenti Trump vijon të mbështesë një zgjidhje diplomatike, por nuk përjashton asnjë opsion nëse Irani vazhdon aktivitetet që SHBA i konsideron kërcënuese në Ngushticën e Hormuzit ose ndaj aleatëve amerikanë.

Pas takimit me kabinetin dhe këshilltarët e tij, Trump deklaroi se administrata amerikane po vazhdon negociatat me Iranin, ndërsa la të hapur mundësinë e rifillimit të bombardimeve ose intensifikimit të tyre, duke shtuar se Teherani duket se po tregohet “më serioz” në bisedime.

Ndërkaq Ushtria e Iranit paralajmëroi se lufta në Lindjen e Mesme do të zgjerohej nëse Shtetet e Bashkuara zgjedhin të vazhdojnë me sulmet ndaj Republikës Islamike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›