SHBA po përgatisin sanksione të ashpra ekonomike, Trump: Irani po shembet plotësisht

“Irani po shembet plotësisht”. Kështu ka shkruar presidenti i SHBA, Donald Trump në Truth Social, përpara konferencës për shtyp të Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, për të përshkruar “D-Day”-n ekonomike të Iranit.
Sipas njoftimeve, Bessent pritet të zbulojë një zgjerim të sanksioneve dytësore kundër vendeve dhe subjekteve që bëjnë biznes me Iranin.
Bessent paralajmëroi më herët për Financial Times një ofensivë të paprecedentë ekonomike ndaj Iranit. Sipas tij, SHBA synon të ndërpresë lidhjet ekonomike që mbajnë në këmbë regjimin iranian dhe paralajmëroi se çdo shtet që bashkëpunon financiarisht me Iranin mund të përballet me izolim.
“Bota duhet ta kuptojë se objektivi ynë është të ndërpresim çdo litar jetese ekonomik që mbështet regjimin tiranik derisa Teherani të qëndrojë i vetëm”, shkroi ai në artikull.
Teherani i ka hedhur poshtë kërcënimet dhe ka paralajmëruar se, nëse konflikti vazhdon, mund të ndalojë eksportet e naftës nga rajoni. Irani ka paralajmëruar gjithashtu anijet të mos kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit pa lejen e tij.
Ngushtica është një nga arteriet kryesore energjetike të botës, ku zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit global.
Kërcënimet e reja vijnë pas disa ultimatumesh të mëparshme të administratës Trump, të cilat më pas janë zbutur për t’i dhënë hapësirë diplomacisë.
Konflikti ka shkaktuar tashmë pasoja në ekonominë globale, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të naftës.