SHBA sanksionon naftën serbe. Vendimi, për shkak se kompania është në pronësi të Gazprom-it rus

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të sanksionojnë industrinë e naftës në Serbi për shkak të pronësisë ruse të saj.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i cili tha se nuk ka marrë ende njoftim zyrtar.
Sipas Vuçiç, sanksioneve do t’i bashkohet edhe Britania e Madhe.
“Kemi një lloj konfirmimi, mirëpo na duhet t’i shohim dokumentet. Nuk i kemi parë ende. Kur t’i shohim dokumentet, do të flasim me amerikanët, më pas do të bisedojmë me rusët”, tha Vuçiç.
I pyetur nëse vendosja e sanksioneve kundër Moskës do të ishte një zgjidhje për problemin, Vuçiç tha se nuk ishte ende gati për ta bërë një gjë të tillë.
“Si president i Serbisë dhe si kryesues i Këshillit për Sigurinë Kombëtare, në këtë moment nuk jam gati të diskutoj sanksionet kundër Moskës. Që nga fillimi, ne iu përmbajtëm parimeve të së drejtës ndërkombëtare publike. Respektuam kartën e Kombeve të Bashkuara dhe kërkuam paqe dhe armëpushim. Do të bëjmë çmos të moshe ndryshojmë politikën tone”, shtoi ai.
Që prej vitit 2008, shumica e kompanisë serbe të natës, NIS është në pronësi të kompanisë shtetërore ruse Gazprom. Kjo e fundit gëzon 56 % të pronësisë, ndërsa 29.87 për qind është e Serbisë.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e kanë futur Gazprom, në listë të zezë që nga viti 2014, kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë.
Ndërsa që kur nisi së lufta e plotë në Ukrainë, Beogradi ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës, dhe vazhdon të mbajë lidhje të mira me Kremlinin. /vizionplus.tv