SHBA trajnon ushtrinë shqiptare me armë të avancuara anti-dron

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka bërë me dije se Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë pajisur me njohuri dhe teknologji të reja për të përballuar rreziqet që vijnë nga ajri.
Sipas ambasadës, javën e kaluar është zhvilluar një sesion intensiv trajnimi, ku kontraktorë të specializuar të kompanive amerikane të mbrojtjes kanë trajnuar ushtarakët shqiptarë. Fokusi ka qenë përdorimi i teknologjisë kundër sistemeve fluturuese pa pilotë.
Ky angazhim është realizuar në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror që Shqipëria ka konsoliduar prej vitesh me Gardën Kombëtare të New Jersey-t, një partneritet strategjik që po modernizon ushtrinë shqiptare.
Përdorimi i këtyre armëve të reja konsiderohet një hap cilësor në mbrojtjen e hapësirës ajrore shqiptare.
“Këto armë të avancuara amerikane për dronë forcojnë kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë dhe mbështesin misionin e NATO-s për të ruajtur sigurinë kolektive,” thuhet në mbyllje të reagimit të Ambasadës.
/rtsh.al/