SHBA urdhëron largimin e diplomatëve nga Arabia Saudite, rriten shqetësimet për rifillimin e luftës me Iranin

Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar largimin e disa diplomatëve dhe familjarëve të punonjësve të qeverisë amerikane nga Arabia Saudite, për shkak të sulmeve të vazhdueshme në rajon. Vendimi vjen në një kohë kur mbretëria saudite po përballet me sulme pothuajse të përditshme, ndërsa raportimet për mundësinë e rifillimit të luftës me Iranin po shtohen.
Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se masa përfshin ambasadën në Riad dhe konsullatat amerikane në vend. Sipas autoriteteve amerikane, shkak për këtë vendim janë sulmet ndaj aeroporteve civile dhe infrastrukturës së rëndësishme, të kryera nga rebelët Houthi në Jemen, të cilët mbështeten nga Irani.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, deklaroi se siguria e punonjësve amerikanë dhe familjarëve të tyre mbetet përparësi kryesore.
Vendimi u mor pas një serie sulmesh të fundit në Arabinë Saudite. Sipas autoriteteve saudite, dy persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të natës ndaj aeroportit ndërkombëtar King Fahd, në qytetin e Dammamit. Aeroporti pësoi gjithashtu dëme materiale, ndërsa disa fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera.
Në një tjetër incident, dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën nga mbetjet e një droni të interceptuar pranë një objekti energjetik në juglindje të vendit. Deri më tani, Houthit nuk i kanë marrë përsipër zyrtarisht këto sulme, por aeroportet dhe objektet e naftës kanë qenë ndër objektivat e tyre gjatë javëve të fundit.
Ndërkohë, disa media ndërkombëtare raportuan se SHBA-ja po shqyrtonte edhe largimin e familjarëve të personelit diplomatik nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Katari dhe Bahreini. Megjithatë, Departamenti Amerikan i Shtetit i mohoi këto raportime, duke sqaruar se urdhri aktual lidhet vetëm me Arabinë Saudite.
Shqetësimet për sigurinë në Lindjen e Mesme janë shtuar edhe pas raportimeve se administratës së presidentit Donald Trump i janë paraqitur plane për rifillimin e sulmeve ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Sipas gazetës The New York Times, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë hartuar plane për një operacion të shkurtër, por intensiv, kundër Iranit. Raportimi vjen pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, zhvilloi takime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Izrael.
Javën e kaluar, Trump deklaroi se SHBA-ja po shqyrtonte mundësinë e goditjes së malit Pickaxe, një zonë e lidhur me programin bërthamor iranian. Megjithatë, presidenti amerikan ka thënë publikisht se nuk synon rifillimin e luftës përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Ndërkohë, sipas raportimeve të NBC, ushtria amerikane po redukton në heshtje praninë e saj në disa baza në Lindjen e Mesme. Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë shpjeguar se lëvizjet e personelit bëhen rregullisht për të ruajtur gatishmërinë për misionet.
Zhvillimet e fundit vijnë në një periudhë tensionesh të larta në rajon, ku sulmet ndaj aeroporteve dhe infrastrukturës energjetike kanë shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.