E Diel, 1 Nëntor 2026

SHIFRAT/ Më “të pasur” por me më shumë borxhe në 2026-ën

Çdo shqiptar parashikohet të ‘fusë’ në portofolin e tij çdo ditë mesatarisht 33 euro, përgjatë 12 muajve të ardhshëm, me rritje prej gati 2 euro krahasuar me një ditë të 2025-ës.

Ky është parashikimi i bërë nga Ministria e Financave në projektbuxhetin e 2026-ës, ku është planifikuar që të ardhurat për frymë të arrijnë në 991 euro në muaj.

Në relacionin e buxhetit 2026 thuhet se të ardhurat për frymë do të kapin vlerën e 11 mijë e 899 euro nga 11 mijë e 260 euro këtë vit, me rritje prej 639 euro.

Ky përmirësim sipas qeverisë do të vijë nga rritja ekonomike e parashikuar në 4%, ulja e nivelit të papunësisë në 7.6% nga 8.5% aktualisht, si dhe nga rritja e pagave.

Mbi këto pritshmëri, qeveria pret edhe shtim të konsumit, si një nga kontribuuesit kryesor të rritjes ekonomike të vendit.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në 2026-ën planifikohet në rritje me 1.4 miliardë euro, nga 26.9 miliardë euro këtë vit në 28.3 miliardë euro në vitin që vjen.

Shqiptarët do të jenë më të pasur se këtë vit, por do të kenë edhe më shumë borxhe për të paguar.

Borxhi publik gjatë vitit të ardhshëm do të jetë sa 53.6% e Prodhimit Kombëtar, ose 15.1 miliardë euro.

Nëse këtë vlerë e përpjesëtojmë me 2.4 milionë banor që ka Shqipëria, rezulton se çdo qytetar ngarkohet me borxh afro 6,314 euro.

TË ARDHURAT VJETORE PËR BANOR

Viti 2025 11,260 euro

Viti 2026 11,899 euro

Diferenca +639 euro

BORXHI PUBLIK NË RAPORT ME PBB

Viti 2025 54.1%

Viti 2026 53.6%

Rënia -0.5%

PRODHIMI I BRENDSHËM BRUTO

Viti 2024 25 mld euro

Viti 2025 26.9 mld euro

Viti 2026 28.3 mld euro

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›