SHKB-ja heton për vrasjen e Kasharit

TIRANË - Nëse dosja e vdekjes së Gani Kamberit është manipuluar rreth 7 muaj më parë, kjo do të zbardhet nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, i cili ka nisur hetimet pas polemikave nëse vdekja e denoncuesit të abuzimeve me trojet e Kasharit është një rast vrasjeje apo vetëvrasje. Burime të besueshme pranë këtij institucioni bëjnë me dije, se SHKB-ja ka nisur hetimet në lidhje me vdekjen e 50-vjeçarit Kamberi, i cili u gjet i vdekur më 14 tetor të vitit 2007. Shkak për këtë janë bërë pretendimet e familjarëve dhe zhvarrosja e trupit të Kamberit katër ditë më parë në varrezat e Kasharit. Prokuroria, policia apo ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët në bashkëpunim e klasifikuan dosjen si “vetëvrasje”, do të përballen tashmë me hetime që i vënë përpara një përgjegjësie të madhe. Ndërkohë që ditët e fundit ka pasur përplasje të ashpra mes organit të akuzës dhe policisë. Dyshimet se mund të jenë bërë gabime gjatë hetimeve, ose hetimet kanë qenë të qëllimshme për t’u thënë se Gani Kamberi i dha fund jetës gjatë një depresioni të rëndë nervor, kanë sjellë edhe rihapjen e dosjes nga e para. Organi i akuzës shfajësohet me faktin, që dosja nga policia ka mbërritur si një rast vetëvrasjeje dhe e njëjta gjë pretendohet edhe nga forcat e rendit, dhe ka qenë vetë prokuroria, ajo që ka vërtetuar se 50-vjeçari Kamberi u vetëvra. Të vetmit që nuk kanë ndryshuar për asnjë moment qëndrimet e tyre janë familjarët e viktimës, të cilët që nga momenti i parë pas tragjedisë, këmbëngulën se njeriu i tyre është ekzekutuar për motive pronësie. Pikërisht, këmbëngulja e tyre solli edhe zhvarrosjen e trupit disa ditë më parë, për t’iu nënshtruar një ekspertize të dytë mjeko-ligjore. Tashmë, përveç rezultateve të kësaj të fundit, që priten të dalin brenda pak ditësh përfundimet e hetimeve nga SHKB-ja, që të hedhin dritë të plotë mbi vdekjen e mistershme të njërit prej ish-pronarëve të tokave në Kashar, mbi të cilat ka mbivendosje trojesh. Akuzat dhe përplasjet mes dy palëve hetimore të çështjes lidhen me manipulimin e provave në vendin e ngjarjes, ku është gjetur trupi i pajetë i Kamberit. Një ndër provat kyçe që mendohet të jetë fshehur, për të cilët ngulin këmbë edhe familjarët, është ajo e gëzhojave. Edhe pse janë dëgjuar dy të shtëna, në trupin e viktimës është gjetur vetëm një plumb. E pretendimi se gëzhoja tjetër është zhdukur, ndryshon shumë fakte në vrasje. Sipas familjarëve, gjë që mbështetet edhe nga specialistë të hetimit të krimeve, në një vetëvrasje nuk mund të ketë kurrë dy plumba, siç ka pasur dhe në rastin e Kamberit. Familjarët hedhin dyshimet se gëzhoja e dytë është fshehur në mënyrë të qëllimshme, për të hedhur poshtë pistën e vrasjes. E nëse nga hetimet e SHKB-së do të rezultojnë të vërteta pretendimet, atëherë shumë shpejt do të nisin hetimet edhe për personat që kanë hetuar ngjarjen e 14 tetorit të vitit 2007, ku u gjet i vdekur Gani Kamberi.