Gjyqtarët rebelohen kundër Alibeajt

TIRANË - Gjyqtarët e Gjykatës së Faktit Tiranë, në vend të proceseve të caktuara, i bënë “gjyq” dje as më pak e as më shumë, por vetë ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeajt. Një takim i këtij të fundit me sekretaret e Gjykatës së Tiranës, i zhvilluar tri ditë më parë, nxiti gjyqtarët që të kërkojnë urgjentisht në takim ministrin, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me idenë e propozuar prej tij për një raport ditor të detajuar nga çdo sekretare për punën e secilit prej tyre. Ky urdhër edhe pse verbal, u perceptua nga gjyqtarët si një tentativë e ministrit për të krijuar një rrjet informacioni me sekretaret, të cilat duhet të raportojnë gjithçka ndodh brenda orarit zyrtar në ministri. Ky urdhër i ministrit dhe probleme të tjera që shqetësojnë Gjykatën e Tiranës u diskutuan dje në një mbledhje me dyer të mbyllura, në sallën e mbledhjeve. Burime pranë gjykatës thanë se për afro tri orë, shumica e gjyqtarëve i kanë shprehur ministrit pa rezerva të gjithë problemet që lindin nga urdhri që Alibeaj u ka komunikuar sekretareve në një mbledhje blic, të zhvilluar rreth orës 16.00 të së hënës. Në mbledhjen e djeshme që nisi rreth orës 8.30, duke u bërë shkak edhe për shtyrjen e disa proceseve, 80 për qind e gjyqtarëve i shprehen pa rezerva ministrit idenë e tyre për propozimin në fjalë. Sipas gjyqtarëve, mbajtja e një raporti me shkrim nga sekretarja cenon procesin e punës së gjyqtarit, duke u bërë shkak edhe për shtyrje seancash. Arsyeja tjetër sipas gjyqtarëve, është se një urdhër i tillë mund të sjellë konflikt mes gjyqtarit dhe sekretares, pasi kjo e fundit në raportin e detajuar mund të tregohet subjektive, apo me dashje mund të hedh baltë mbi punën e gjyqtarit. Gjithashtu, të qenit kundër kësaj ideje sipas gjyqtarëve, është dhe fakti se në këtë mënyrë ministri Alibeaj kërkon të rekrutojë sekretaret, ndërkohë që sipas gjyqtarëve, edhe Sigurimi i Shtetit në kohën e sistemit komunist e kishte të ndaluar me ligj të rekrutonte bashkëpunëtorë në sistemin e drejtësisë. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme gjyqtarët i kujtuan ministrit se ka në dispozicion një ekip inspektorësh, të cilët mund t’i çojë kur të dojë për të verifikuar punën dhe zbatimin e orarit në gjykatë. Pas debateve dhe kundërshtimit të gjyqtarëve, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duket se është tërhequr nga kërkesa e tij, duke deklaruar se një urdhër i tillë ishte verbal dhe nuk mund të merret si i mirëqenë. Ai iu premtoj gjyqtarëve, se së shpejti do të nxirrte një urdhër të shkruar, ku do të përcaktojë të gjitha detyrat që duhet të kryejë administrata e gjykatës, e cila është në varësi të kancelarit, ndërsa ky i fundit emërohet nga ministri i Drejtësisë.