SHKRIMTARI SI "ZEJTAR"
Në realitetet tona letrare - të vonuara si përherë - ndesh gjithnjë e më shpesh autorë që etiketohen si postmodernë. Disa prej tyre kanë "gjetur strehë" në teoritë e praktikat postmoderne, duke e aplikuar atë në mënyrë bajate e diletanteske dhe sipas skemash të vjedhura nga autorë të huaj
Ose statusi i tejkaluar i autorit postmodern
Koncepti tradicionalist i statusit të Autorit si "gjeni" e "demiurg", i cili ndërton raporte me tekstin ashtu si Zoti me Krijesën e tij; ky koncept klasik pra, është sulmuar e kundërshtuar jo rrallë dhe ashpër.
Një kontestim i tillë, i kryer nga pozita të ndryshme formaliste e simboliste, strukturaliste e dekonstruktiviste, etj., bëhet karakteristik për shekullin e kaluar, duke kulmuar me poetikën dhe praktikën postmoderne.
Një rol të madh në "çmistifikimin" e "çshenjtërimin" e Autorit-Zot, por dhe të Letërsisë si "Fe e Besim", do të luanin, pa dyshim, teoritë e analizat strukturaliste e dekonstruktiviste, në themel të të cilave qëndronte bindja se vepra letrare, ashtu si çdo produkt tjetër gjuhësor, përbënte një konstrukt, mekanizmat e të cilit mund të analizoheshin dhe të klasifikoheshin si objektet e çdo disipline tjetër shkencore.
Kësisoj, edhe vetë pozicioni e roli i Autorit - thuajse hyjnor deri më tani - katandiset thjesht në një "ndërtues konstruktesh gjuhësore", mekanizimat e të cilëve nuk përbëjnë asgjë subjektive a misterioze, porse mund të veçohen, analizohen e dekonstruktohen njëlloj si çdo mekanizëm tjetër.
Nëse deri dje shkrimtari ishte konsideruar e trajtuar si Zot e krijues i gjuhës dhe gjuha si "skllave" e tij, tashti është vetë Autori që konsiderohet "skllav" i gjuhës apo edhe produkt i saj.
Poeti i shquar ruso-amerikan, nobelisti Brodskij, do të theksonte se "nuk është gjuha instrument i shkrimtarit, por shkrimtari instrument i gjuhës". Gjithashtu, shumë vite para Brodskijt, poeti francez, Mallarme, do të shprehej se "është gjuha ajo që flet dhe jo autori".
Një përmbysje e tillë, në konceptimin e statusit të Autorit, duket thuajse apokaliptike. Sidomos kur kujtojmë se jo fort larg në kohë dukeshin normale qëndrime e pohime autorësh të shquar, të tilla si për shembull:
"Unë jam fyelli i Zotit" (Esenin); "Unë jam si një piktor, të cilin Zoti e tall, duke e dënuar të vizatojë në errësirë" (Bodler); "Jam unë krijuesi i personazheve të mi dhe më duhet të përgjigjem për fatin e tyre njëlloj si Zoti për krijesat e veta" (Dostojevski); "Shkrimtari duhet të jetë si Zoti në Krijim: i padukshëm dhe i gjithëpushtetshëm" (Flober), etj.
Teoria dhe praktika letrare postmoderne do ta shpjerë në ekstrem çmistifikimin e çshenjtërimin e Autorit. Shkrimtari postmodern do të zhvishet përfundimisht nga aureola të tilla, si ajo e "krijuesit", "demiurgut", "gjeniut", etj., duke fituar kësisoj një status të ri.
Në konceptimin dhe sqarimin e këtij statusi të ri, një kontribut të rëndësishëm - krahas jo pak pararendësve e bashkëkohësve - jep shkrimtari e kritiku francez, Roland Barthes, në esenë e tij të njohur, "Vdekja e Autorit" (1968).
Që në titullin e kësaj eseje emblematike, Barthes deklaron "vdekjen" e Autorit, duke nënkuptuar kësisoj Autorin klasik e tradicional, Autorin "krijues" e Zot. Ai sqaron se në epokat e hershme, statusi i "autorit" nuk kishte asgjë të përbashkët me atë të autorit klasik apo modern.
Kështu, në "shoqëritë etnografike", tregimi nuk merrej përsipër nga një individ (autor), por nga një ndërmjetës, shaman apo recitues, të cilit mund t'i admiroje ekzekutimin e interpretimin, por jo gjenialitetin.
Kësisoj, Barthes e sheh Autorin (me gjithë mitin e tij) si një personazh modern, produkt të një shoqërie dhe të një epoke ku nis të zbulohet e të vlerësohet rëndësia dhe roli i individit.
Më pas, do të jenë qëndrimet e teorizimet pozitiviste ato që do të vendosin kultin e Autorit, duke u përqendruar sidomos në rrafshe vlerësimi e interpretimi. ("Vepra e Bodlerit është dështimi i njeriut Bodler", etj.)
Në fakt, kontestimet ndaj statusit klasik të Autorit ishin vënë re që në modernizëm, si në rrafshe teorike, ashtu dhe në praktikën krijuese. Veprat e disa autorëve të rëndësishëm modernistë dëshmojnë prioritetet e gjuhës dhe vartësinë e Autorit ndaj saj. Kështu, për shembull, surrealizmi me "shkrimin automatik" ndihmon për ta çshenjtëruar imazhin thuajse mitik të Autorit.
Ndërkohë, poetika dhe praktika letrare postmoderne dëshmon dallime të dukshme e të rëndësishme në statusin e Autorit. Vetë Barthes, në esenë e tij të sipërpërmendur, do të shprehej se "teksti është një thurje citimesh, që vijnë nga mijëra vatra kulture... I vetmi pushtet i Autorit është t'i përziejë shkrimet..."
Duhet theksuar se është vetë natyra e tekstit postmodern (me tipare të tilla si, intertekstualiteti e intermedialiteti, kolazhi e pastich-i, letërsia si "ars combinatoria", etj.), që përcakton edhe statusin e autorit postmodern. Autori postmodern nuk duket se ka gjë të përbashkët me sivëllain e tij të dikurshëm, Zot e Krijues, Gjeni e Demiurg.
Nisur nga thënia e mësipërme e Barthesit ("i vetmi pushtet i Autorit është t'i përziejë shkrimet"), duket se autori postmodern, më shumë se me një Zot, ngjason me një alkimist, detyra e të cilit mbetet përzierja e lëndëve të nevojshme dhe kombinimi i tyre në masën e duhur, për të përfituar kësisoj materien e çmuar (nënkupto: veprën letrare).
Autori postmodern nuk ka përballë tashmë një realitet të ngurtë, statik e njëformësh. Përkundrazi, ai ndodhet përballë e brenda një realiteti më shumë se kurrë të ndërlikuar, të fragmentuar e kaleidoskopik, shumëformësh e në lëvizje të pandërprerë, "kopja besnike" e të cilit duket e pamundur dhe, për më tepër, as që bën objektin e një vepre letrare postmoderne. Informacioni që godet autorin bashkëkohor, vjen nga gjithandej dhe është tepër i madh e i larmishëm: përzgjedhja bëhet e vështirë e thuajse e pamundur.
Shfrytëzimi i kronikave të ndryshme, fjalorëve, ditarëve, studimeve të natyrës shkencore, enciklopedive, broshurave e dosjeve, biografive e autobiografive, paragrafëve ligjorë e kushtetues, artikujve të gazetave e revistave, reklamave e horoskopëve, grafiteve e riprodhimeve të llojllojshme vizuale, si dhe i gjithçkaje tjetër që deri dje konsiderohej si "extraletrare"; gjithë kjo materie bruto pra, bëhet organike, e natyrshme dhe bile e qenësishme për tekstin postmodern.
Pikërisht falë këtij shfrytëzimi e bashkëpunimi, letërsia postmoderne konsiderohet edhe si ars combinatoria.
Natyrisht që një këndvështrim i tillë, i cili e sheh autorin postmodern thjesht e para së gjithash si një "përzierës a moderator" tekstesh, stilesh e artesh të ndryshëm dhe veprën postmoderne si një kokteijl të të gjithë këtyre, është në thelbin e tij jo pak manipulues e semplicist.
Qëndrime e teorizime të tilla janë kundërshtuar në vazhdimësi nga jo pak kritikë letrarë, por dhe shkrimtarë të njohur si postmodernë. Vetë John Barth, njëri prej përfaqësuesve të shquar të postmodernizmit letrar amerikan, do të shprehej jo pa ironi në një intervistë të tijën:"... Nëse marrim për bazë studimet e teorizimet e pafundme të akademikëve tanë rreth Postmodernizmit në letërsi, duket sikur çdokush mund të bëhet shkrimtar postmodern.
Mjafton të marrë fragmente tekstesh gjithandej, t'i bashkojë e t'i nakatosë si të mundet dhe ja: romani postmodern është gati. Kjo, ndoshta, shpjegon edhe pse janë shtuar kaq shumë të ashtuquajturit "autorë postmodernë" këto vitet e fundit, ndërsa vepra postmoderne kemi gjithnjë e më pak...".
Një konstatim i tillë, të cilin John Barth e bënte para katër dekadash (1970), duket si i prerë për realitetet tona letrare - të vonuara si përherë - ku ndesh gjithnjë e më shpesh autorë që etiketohen si postmodernë nga kritika, apo edhe vetetiketohen si të tillë.
Në fakt, disa prej tyre, jo aq të ndershëm sa për ta pranuar shterpësinë dhe shterimin krijues, kanë "gjetur strehë" në teoritë e praktikat postmoderne, duke e aplikuar atë në mënyrë bajate e diletanteske dhe sipas skemash të huazuara (nënkupto: të vjedhura!) nga autorë të huaj.
Etiketime të tilla, në më të shumtën e rasteve janë sempliciste e mbështeten vetëm në kritere formalë ("nakatosja e fragmenteve", sipas Barth-it).
Ndërkohë, duhet theksuar se po bëhen mbizotërues zërat autoritarë (jo vetëm të estetëve e teoricienëve letrarë, por dhe të vetë shkrimtarëve seriozë) që e konsiderojnë
POSTMODERNIZMIN - ashtu si çdo modë kalimtare - të tejkaluar dhe mision-kryer që prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh. (Shih, për shembull, Stefano Calabrese: www.letteratura.global - Il romanzo dopo postmoderno. Einaudi, 2006).
Kësisoj, autorët postmodernë shqiptarë, bashkë me mendimin kritik rreth tyre, në raport me zhvillimet bashkëkohore letrare, duken të vonuar, të paktën me dy dekada...
Kaq.
Duket sikur çdokush mund të bëhet shkrimtar postmodern. Mjafton të marrë fragmente tekstesh gjithandej, t'i bashkojë e t'i nakatosë si të mundet dhe ja: romani postmodern është gati.
Kjo, ndoshta, shpjegon edhe pse janë shtuar kaq shumë të ashtuquajturit "autorë postmodernë" këto vitet e fundit, ndërsa vepra postmoderne kemi gjithnjë e më pak...".