Adoleshentja tenton të vrasë përdhunuesin e saj
VETËGJYQËSIA/ 18-vjeçari ishte denoncuar nga vajza për marrëdhënie seksuale me dhunë, por ishte liruar vetëm pak më pas
LEZHË - E kishte akuzuar për përdhunim, por teksa e kanë liruar nga burgu pa i dhënë dënimin për akuzën që ajo kishte ngritur, vajza ka vendosur të bëjë vetëgjyqësi. 17-vjeçarja i është drejtuar lokalit ku punonte përdhunuesi i saj dhe është futur brenda, e shoqëruar nga katër vetë të tjerë.
Ka nxjerrë nga çanta pistoletën tip "Zastava" dhe ka qëlluar drejt 18-vjeçarit K.L, por pa mundur të realizojë hakmarrjen e saj, pasi i riu teksa e ka parë të afrohet ka mundur që të largohet, duke i shpëtuar vdekjes.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Tale të Lezhës, të dielën rreth orës 23:00. Ndërkohë policia ka vënë në pranga 17-vjeçaren, ndërsa ndaj saj është ngritur akuza e "vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë" si dhe "armëmbajtje pa leje".
Burime zyrtare nga policia e Lezhës bëjnë të ditur, se adoleshentja nga fshati Shënkoll është shprehur përpara hetuesve se shkak për veprimin e kryer kishte qenë dhuna seksuale që 18-vjeçari kishte ushtruar ndaj saj.
Këtë fakt ajo e kishte denoncuar edhe në prokurori, por së fundmi ishte vendosur lirimi i tij nga burgu, gjë që kishte sjellë edhe vendimin për vetëgjyqësi. Ndërkohë, uniformat blu të cilat kanë kontrolluar në shtëpinë e vajzës, kanë gjetur pistoletën e përdorur për të vrarë të riun. 17-vjeçarja është shprehur se armën e kishte siguruar pa dijeninë e prindërve.
Ndërkohë, mësohet të jetë ngritur një grup hetimor pikërisht për këtë ngjarje, ndërkohë që pritet që edhe specialistë nga Ministria e Drejtësisë të mbërrijnë në Lezhë për të riparë edhe një herë procedurat e arrestimit e më pas të lirimit të të riut nga fshati Tale, i akuzuar nga vajza se e kishte përdhunuar dhe i cili është liruar pas një muaji burg.