SHKUP – Fillon gjykimi për 38 të akuzuar për tragjedinë në diskotekën ”Puls”

SHKUP, 19 nëntor /ATSH-MIA/ – Pas tetë muajve nga tragjedia në diskotekën “Puls” në Koçan, sot filloi gjykimi për zjarrin që ndodhi më 16 mars të këtij viti dhe në të cilin humbën jetën 63 persona, mes të cilëve edhe fëmije, ndërsa 200 të tjerë u plagosën.
Rasti përfshin 38 të akuzuar, 35 persona fizikë dhe tre juridikë, të cilët ngarkohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Mes tyre ka pronarë të lokaleve, drejtorë, inspektorë, kryetarë komunash, anëtarë të sigurimit dhe nëpunës shtetërorë.
Sipas hetimit, tragjedia është rezultat i lëshimeve shumëvjeçare dhe injorimit të vetëdijshëm të procedurave të sigurisë nga disa institucione dhe individë.
“Puls” ka punuar në mënyrë të paligjshme që prej vitit 2012, pa kushte minimale teknike dhe me rikonstruime pa leje.
Të akuzuarit ngarkohen se nuk kanë kryer mbikëqyrje inspektuese, kanë dhënë licenca në kundërshtim me ligjin, kanë lejuar hyrjen e të miturve dhe stërmbushje të kapacitetit, ndërsa në natën kritike ishin përdorur mjete piroteknike pa leje, që drejtpërdrejt e ka shkaktuar zjarrin.
Pesë nëpunës shtetërorë, një sekretar shtetëror dhe dy ministra janë të akuzuar për dhënie të parregullt të licencave për veprimtari hotelerike të “Kabare PULS” në Koçan, pa përmbushje të kushteve ligjore.
Sipas aktakuzës, ata nuk kanë vepruar në pajtim me rregullat dhe nuk kanë inicuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese. Për pesë prej tyre, përfshirë dy ish-ministra, procedura është ndërprerë për shkak të materialit të pamjaftueshëm të dëshmitarëve.
Prokurorët publikë konstatuan se tre pajisje piroteknike janë marrë ilegalisht dhe janë aktivizuar njëkohësisht përmes pajisjeve bazë me antenë teleskopike. Piroteknika ishte futur dhe përdorur pa leje, në kundërshtim me ligjet për materie shpërthyese.
Më 16 mars 2025, gjatë koncertit të grupit muzikor DNK në diskotekën “Puls” në Koçan, shpërtheu zjarr një të cilin jetën e humbën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.
Në objekt ka pasur më shumë vizitorë nga numri i lejuar, mes të cilëve edhe të mitur, ndërsa mjetet pikroteknike ishin aktivizuar pa leje. Objekti ka punuar në mënyrë të paligjshme për më shumë se një dekadë, pa kushte minimale teknike, me rikonstruktime pa leje dhe pa sistem për mbrojtje kundër zjarrit./ /Ad.Ab./