E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHQUP seli e PD, Kulluri i MM: Praktika ligjore, të tepërta akuzat e PS

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ervin Kulluri në një intervistë në studion e News 24, ka komentuar çështjen aq shumë të përfolur të kalimit të SHQUP në seli të Partisë Demokratike.

Kulluri është shprehur se e gjithë procedura e ndjekur për këtë kalim është ligjore, ndërsa i quajtu të tepërta deklaratat e PS, në lidhje me këtë çështje.

“Ushtria duhet të shpëtojë nga trashëgimia e regjimit . Çështja e SHQUP-it u trajtua shumë rëndë , kanë qënë të tepërta akuzat e bëra nga PS.
Shantazhe i janë bërë si Ministrisë së Mbrojtjes, punonjësve të saj si dhe presidentit të Shqipërisë, këto do t’i quaj sulme të papranueshme”, tha Kulluri.

Duke shpjeguar procedurën e ndjekur, Kullur tha se, “Ne përcollëm kërkesën e Ministrisë së Brendshme tek Presidenti. Ministri i Mbrojtjes do e sqarojë në një intervistë të gjithë praktikën e ndjekur, por dua të them paraprakisht se ajo ka qënë e gjitha ligjore. Kemi transferim, dhënie me huamarrje e cila ka mbyllur këtë proces administrativ”, tha ai.

Kulluri shtoi më tej se “SHQUP e kishte humbur vlerën si godinë”.

Sipas Kullurit, privatizimi i pronave të ushtrisë ka qënë dhe do jetë një proces rutinë i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa sqaroi se procesi kalon edhe nëpërmjet ministrisë së Ekonomisë e në fund tek ajo e Financave.

“Nuk po grabitet asnjë pronë, janë aty dhe të verifikueshme. Nuk po ndodh asgjë me pronat, thjesht është pjesë e ristrukturimit të ushtrisë. Nuk i shesim ne pronat e ushtrisë, por procesi kalon nga Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave”, shtoi ai.

Sulmet e opozitës së kaluar për shitjen e pronave të ushtrisë, Kulluri e komentoi si një situatë surreale. “Sulmet e opozitës ndaj Ministrisë së Mbrojtjes krijojnë një situatë surreale. Ti i thua zotit Balla që është kështu situata, nuk i shesim ne pronat e ushtrisë, ai del sërish nesër e thotë Ministria e Mbrojtjes po shet pronat”.

Në lidhje me shkarkimet e gjeneralëve, Kullori komentoi se ky është një proces normal. Ndërsa për shkarkimin e Aleksandër Lleshit ai komentoi: "Nuk është në targetin tim, por di që ka ligj për karrierat dhe gradat. Gjeneralët janë graduar dhe kanë dalë në lirim, sot sistemi i karrierës është i qartë. Por ka pasur edhe persona që kishin ambicie për të kaluar përtej karrierës, dikush ka hedhur një gur në lumë e zoti Rama me PS i kanë shkuar nga pas”, tha Kulluri më tej.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›