E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHTEPIA E KURVAVE

Naser Aliu


Gjyqtari lëshoi dosjen mbi tryezë dhe të pranishmit u ulën pas kërkesës së tij. Në sallë gjendeshin Vlora, avokati dhe pas tyre publiku: një grup gjimnazistësh me një prfesor.

Ai përshëndeti nxënësit dhe u përkulë drejt mikrofonit për të bërë thirrjen formale. Zëri i tij u dëgjua edhe në korridor dhe pastaj hynë edhe një çift pleq duke ecur ngadalë. Ata, ashtu të kapur dorë për dore, u akomoduan në rreshtin e tretë, ku ishin disa karrige të zbrazëta. Plaku u ngrit përsëri, vari xhaketën e shoqes dhe u kthye me hapa të vegjël pranë saj.

Gjyqtari i vuri syzat dhe ngriti një flet para vete. Një herë e aviti, pastaj e largoi përsëri dhe nisi leximin dhe incizimin në një shirit të një magnetofoni të vogël. Mirëmëngjesi. Si gjyqtar i vetëm, gjyqtari Freitagsmüller. Ju lutem shkruani: Datën, Numri i dosjes: 12 48 A/ 11. Për Zyrën Federale për Migracion dhe Refugjatë, nuk është i pranishëm askush. Për palën ankuese e pranishme zonja K. me avokatin  Dr.Wollschläger, tha ai dhe lëshoi mikrofonin mbi tryezë.

Dosja është e gjatë, por do t i lexoj shënimet kryesore që kam nxjerrë. Ju zonja K. keni lindur në vitin 1987 në Prishtinë, Republika e Kosovës. Keni katër motra, një vëlla dhe nënën atje. Për t atin nuk dini gjë që nga lufta, nga viti 99. Shkollimin për infermiere keni ndërprerë për shkaqe shëndetësore, post traumatizmi, depresioni, shtoi ai duke parë Vlorën. Me 15 janar jeni nisur nga Kosova me djalin dhe partnerin Tuaj. Ai ka blerë tre pasaporta serbe për tre mijë Euro. Me 16 janar keni mbërri në Munih. Aty keni bërë kërkesën për strehim. Si dokument identifikimi keni dorëzuar certifikatën e lindjes dhe letërnjoftimin, lëshuar nga Republika e Kosovës. Pasaportat serbe i keni humbur gjatë rrugës…

Nxënësit të përqendruar dëgjonin, kurse avokati herë pas here shfletonte dosjen, nënvizonte diçka dhe përsëri kthente shikimin drejt gjyqtarit duke rrotulluar lapsin në dorë.

Lutja Juaj është refuzuar me 20 mars, vazhdoi ai. Zyra Federale… nënvizon se kërkesa është e paarsyeshme. Sëmundja Juaj, mund të mjekohet edhe në Kosovë dhe për t i dhënë fuqi bindëse këtij argumentimi, Zyra… ka bashkangjitur edhe informata nga Amnesty Internacional, si edhe të dhënat, që posedon nga Ministria e Jashtme. Kundër këtij vendimi, Ju keni bërë ankesë brenda afatit. Kjo ishte shkurtimisht, tha ai dhe mbylli dosjen. Nëse keni diçka të shtoni, atëherë mund ta bëni këtë tani Ju lutem, iu drejtua avokatit.

Mohimi është i padrejtë, tha avokati duke nxjerrë një fletë nga dosja e tij. Zonja K. nuk mund të shërohet në Kosovë. As nuk mund ti mbulojë harxhimet mjekësore. Atje ende nuk kemi një sistem shëndetësor, siç e njohim ne në Gjermani. Atje, zoti gjyqtar, mjekët janë të korruptuar dhe kush nuk ka para, ose vdesë nga ndonjë sëmundje  kronike, ose çmendet nga ndonjë sëmundje psikike. Medikamentet janë të shtrenjta si në Gjermani. Zonja K. nuk punon dhe nuk mund të punojë, jo vetëm për shkak të sëmundjes, por edhe për shkak të djalit të vogël. Ajo ka nevojë për ndihmë nga shteti gjerman. Me kthimin e saj, nuk vihet në rrezik vetëm zonja K., por edhe djali i pafajshëm(…)

Gjyqtari dëgjonte me vëmendje dhe herë pas here tundte kokën apo merrte shënime.

Faleminderit, tha ai. Do të incizoj këtë pikë së pari, e pastaj dua ta dëgjoj edhe zonjën K. dhe mori mikrofonin në dorë. Pasi përfundoi, iu drejtua Vlorës. Zonja K. më tregoni Ju lutem për shkaqet që Ju detyruan ta braktisni Kosovën.

Ajo ngriti kokën, shikoi gjyqtarin, avokatin e vet, pastaj u kthye prapa duke u hedhur një vështrim edhe nxënësve. Mori frymë thellë, shtrëngoi nofullat, pastaj shtrëngoi edhe duart para vete dhe foli: Zoti gjyqtar, ju falënderoj që më jepni mundësinë të flas mbi jetën time. Arsyet për braktisjen e vendit janë dy: Keqtrajtimet nga burri dhe sëmundja…

Nga burri? Ju, mirëpo keni thënë se nuk jeni e kurorëzuar, e ndërpreu gjyqtari dhe shënoi diçka në fletën, që mbante para vete.

Po, keni të drejtë, mirëpo ai është burri im.

Avokati ndërhyri duke shpjeguar se tek shqiptarët, në fillim martohen vetëm sipas të drejtës zakonore. Martesa tek ta bëhet në fillim si një provë, tha ai. Kam pasur disa raste të tilla. Kurorëzimin e bëjnë disa muaj apo disa vite pas martesës. Nuk është sikur tek ne. Sipas mendësisë kosovare, ai është burrë i zonjës K., sipas sonës, partner me të cilin bashkëjeton. Gjyqtari hoqi syzat, i lëshoi mbi tryezë dhe nuk tha gjë.

Në vitin 2000, vazhdoi Vlora, për shkak të traumave kam shkuar për herë të parë te mjeku i familjes. Katër apo pesë vite jam trajtuar prej tij, jo rregullisht…

Çfarë medikamente ju ka dhënë, pyeti gjyqtari.

Në fillim vetëm barëra për qetësim. Më vonë, meqë natën zgjohesha befasisht e trishtuar, qaja apo strukesha e tmerruar në qoshe të dhomës, edhe medikamente për gjumë.

A ju ka ndihmuar partneri, burri, siç e quani Ju? Vlora bëri një buzëqeshje ironike.

Jo, jo, më shante se e trazoja nga gjumi. Bërtiste dhe më thoshte se je trenu dhe je ba psiko, budallicë! pastaj më përzinte nga dhoma e fjetjes dhe natën e kaloja në një kolltuk në korridor.

Gjyqtari vështroi avokatin dhe nxënësit. Nxënësit u shikuan në mes vete. Dy pleqtë ngelën si të ngrirë, por në fytyrat e tyre nuk pati fare grimasa nga të cilat mund të lexohej përshtypja. Pse nuk keni sjellë me vete edhe vërtetimet mjekësore?

Kam sjellë të fundit, tha Vlora dhe shikoi avokatin e vet.

Këtë që kishte përkthyer një përkthyes zyrtar, një profesor i anglishtes në gjermanisht?

Po, atë. Përkthyesin e gjermanishtes nuk e gjeta. Ky i anglishtes më tha se mund ta përkthejë në internet dhe e përktheu. E ka vulosur. Kam paguar dyzetë euro për këtë.

Ah, zonjë e dashur, është dashur të ripërkthehet. Nuk merrej vesh gjë, shtoi gjyqtari duke sjellë kokën në shenjë habie. Mirë, po pse nuk keni sjellë edhe të tjerët, ju tek Zyra Federale… keni pohuar se viteve të fundit shkonit te psikiatri çdo muaj.

Po, mirëpo për këtë nuk kam mundur të flasë atje. Kisha frikë nga burri. I kam shqyer të gjitha raportet mjekësore…

Pse, pyeti ai i hutuar.

Nëse nuk gabohemi ishte festa e Vitit të Ri 2006 apo 2007. Tani nuk më kujtohet. Tek ne patën ardhur shumë mysafirë. Ndoshta njëzet apo më shumë. Nuk di saktësisht. Burri im qe hidhëruar me mua pse mishorizi kishte shumë kripë. Derisa po më qortonte, në sergjenin e kuzhinës, pa raportin e psikiatrit. Pastaj e mori në dorë, shkoi në dhomën e ndejës dhe u tha mysafirëve: Kshyrni kit dokument pi psikiatrit, me dokument e me vulë kallxon se gruja jeme asht e trenume, hani kryp si dele sonte! Nga kjo ditë, nuk kam kërkuar raport mjekësor. Nëse mjeku më jepte ndonjë vërtetim, atëherë e shqyeja rrugës për në shtëpi.

Më falni ju lutem. Ju pohuat më parë se keni qenë e keqtrajtuar prej partnerit, tha ai duke shikuar në fletën e vet. Tek Zyra Federale… nuk keni folur për këtë.

Nuk kam guxuar të flasë, nxitoi Vlora. Mund ta merrte vesh burri…

Meqenëse raportet nuk ishin aq të mira, atëherë pse keni lejuar të mbeteni shtatzënë dhe të dëmtoni edhe ardhmërinë e fëmijës, e ndërpreu gjyqtari.

Po,unë nuk kam mundur të vendosë për këtë…

Pse nuk keni refuzuar fjetjen me të?, ndërhyri avokati pasi mori lejen prej gjyqtarit.

Si ta refuzojë unë në shtëpinë e tij? Ai më telefononte para se të kthehej nga puna, më thoshte çfarë fustani të vishja…

A domethënë kjo se ju ka dhunuar?, u ngut avokati me pyetjen tjetër.

Vitet e para, jo, më vonë nuk kam dashur të flejë me burrin…po, po, ai më ka dhunuar, shumë herë, tha Vlora dhe uli shikimin mbi tryezë. Nxënësit në sallë u shikuan dhe dy nga dy pëshpëritnin në mes vete, ndërkaq, profesori i tyre dëgjonte i qetë dhe i pa shqetësuar.

Atëherë pse nuk jeni ndarë?, pyeti gjyqtari.

Nuk guxoja! Është kërcënuar se do të më vriste. Ai ka gjashtë vëllezër…

Zonjë, Ju mirëpo po tregoni kët

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›