E Shtunë, 31 Tetor 2026

TREGIMI I NJË DOKTORI

Dr.Adem Harxhi

Nga artikulli i kolegut Lutaj, mora vesh për një intervistë të Dr. Petrelës. Për të shprehur opinionin tim lidhur me subjektin në diskutim, zgjodha skicën Tregimi i një doktori. Ky nuk është një krijim, por është një histori e vërtetë, që tregon se bashkë me të sëmurin vuan dhe duron edhe doktori.

TREGIMI I NJË DOKTORI

 

Kur hyra në dhomë, akoma, vija erë eteri. Ajo ishte ulur tek dritarja e zyrës time atë mëngjes të stolisur prilli. Me gishtat e gjatë, krihte flokët e rëndë e të zinj. Nuk  e kisha parë herë tjetër me flokë të lëshuara, që kaq bukur dhe plot vitalitet zbrisnin poshtë në supet  e saj. Ajo shikonte jashtë pranverën. Njerëzit, të lehtësuar nga teshat e dimrit,  ecnin të nxituar në trotuar dhe bari i ri valëzonte nga një puhizë e lehtë.

Dukej e qetë dhe sikur nuk dyshonte pse e kisha thirrur. Të dy në ankth, kishim ditë që pritnim verdiktin e anatomopatologut, të cilin, sot, ma kishin sjellë. Si mjeku i saj, mendova se duhej të flisja me të për kancerin, ndërsa ajo, me buzëqeshje më tha:

Tungjatjeta doktor.

Aq qetësisht ma tha këtë, tamam, sikur të ishim takuar në një tavolinë kafeneje, e jo në zyrën e një doktori. Befasisht, prej tmerrit që do të më duhej të thosha, ngela pa fjalë.  U ula në kolltuk, me duar të kryqëzuara në gjoks. Kundroja grimcat e pluhurit, që suspendonin në tufëzën e dritës, që hynte nga dritarja e madhe e dhomës. U kthye nga unë dhe u habit që më pa aq konfuz. Ajo priste  me ankth çfarë do ti thosha.

E dija rezultatin e biopsisë. Dija se edhe disa nga ndryshimet e shkruara në raportin e anatomopatologut, ishin rezultat i rrezatimit që ajo kish bërë. Isha përgatitur që të përqendrohesha në këtë pikë dhe ta mbaja shpresën e saj të gjallë.

* * *

Herën e parë që kish ardhur për vizitë, unë e lexova diagnozën e saj sapo ajo hyri. Trupi i saj i përkulur, me duart e vendosura mbi bark për tu mbrojtur nga dhimbja, tregonin se tumori rritej si një fëmijë brenda saj. Hemorragjia, era e keqe prej fistulës, indet e forta dhe ulcerat në murin e saj vaginal, ishin tipike. Në radiografi dukeshin nodule që kishin spërkatur mushkëritë. Ndjeva një shtrëngim në gjoks. Duhej akoma edhe diçka tjetër që ta provonte diagnozën- biopsia. Përgjigjen e saj,  sot, e kam në dorë.

* * *

Është detyra, që e bën mjekun lajmës të  vdekjes. Disa, këtë detyrë e bëjnë keq. Të tjerë e bëjnë pak më mirë, por askush nuk e bën ashtu siç duhet. Disa tregohen  të ashpër, sikur pacienti e ka përgjegjësinë pse doktori nuk bën dot gjë. Doktorë të tjerë sillen në mënyrë evazive. Ata dancojnë nëpër eufemizma, deri sa pacienti ta kuptojë vetë. Kur dëshpërimi  shfaqet në fytyrën e pacientit, të dy vazhdojnë të diskutojnë mënyrat paliative të mjekimit dhe prognozën përfundimtare, e cila nuk thuhet, por nënkuptohet. Ka të tjerë që shpërndajnë shpresa pa fund.  Ata e zvogëlojë problemin dhe terrorin e pacientit. Ata flasin si për një pengesë në rrugën e tij, por, që më në fund, do ta kalojë.

E di që ngushëllimi mund ta zbusë tronditjen. Por, procesi i vdekjes është një rrugëtim. I gjatë ose i shkurtër qoftë ky rrugëtim, pacienti vetë do ta bëjë dhe vetë do ta vuajë, por në këtë vuajtje ka pjesën e tij dhe doktori. Ai që vuan, unë e di mirë, nuk do ngushëllim, ai do ndihmë. Ta përkëdhelësh  dhe ti flasësh me zë të butë, kjo nuk ndryshon asgjë. Vdekja është sfidë për doktorin dhe për pacientin e tij. Ajo, fatkeqësisht, i mund të dy.  Kërcënimi i vdekjes, është si një goditje me thikë në zemrën e pacientit.  Ndaj,  të nxjerrësh nga goja një prognozë pa shpresë është e vështirë dhe kjo kërkon jo më pak shkathtësi nga sa të nxjerrsh në botë një fëmijë. Është një shkathtësi e dhimbshme, të cilën doktori vetë do ta mësojë. Është diçka që e lejon pacientin ta zbulojë vetë vdekjen e tij. Unë kurrë nuk e mësova këtë shkathtësi dhe dyshoj, se nuk do ta arrij kurrë. Ashtu si nuk arrita, ndonjëherë, të mësoja edhe vetë vdekjen. Edhe sot, pas kaq shumë vjet pune, e kam të vështirë të jap lajme të këqija. Kjo ndodh, sepse dera që i mbyllet shpresës, bën të hapen dyer të tjera për hidhërime pa fund.

* * *

Në çast, mendova se nuk do ta shikoj më, kurrë, këtë grua dhe ndjeva shtrëngim në gjoks.  Me shikimin larg saj, i thashë:

-   Biopsia ka ardhur

-         Oh…..Po rezultati?, pyeti ajo .

E detyrova veten që ta shikoja në fytyrë. Pashë besim.

-         Biopsia….është pozitive , thashë unë.

-         Pozitive?, përsëriti ajo dhe balli i saj u ngrys. Por a mund të më thoni, doktor, si mund të quhet rezultati pozitiv, kur kjo do të thotë se unë do të vdes?

Isha gati të përlotesha. Unë di si të sillem me zemërimin, me heshtjen, me refuzimin, me kundërshtimin, me protestën dhe me mohimin që shfaqin të sëmurët. Unë jam ndeshur me të gjitha këto reaksione, kur u kam dhënë atyre lajme të këqija. Por unë nuk isha i përgatitur të ndeshesha me dinjitetin.

Fytyra e saj u zbut. Me sa duket ajo vuri re shqetësim në fytyrën time. Buzëqeshja që iu kthye, sikur më preu me thikë. Pranimi i saj ishte befasues. Qetësia, me të cilën ajo e pranoi verdiktin, e thelloi dëshpërimin tim.

Nuk munda ti përgjigjem.

Ishte ajo, që më nxori përsëri nga stepja, që më kishte pushtuar, kur më pyeti:

-         Çdo të bëjmë, doktor?

Unë i rishikova opsionet: kimioterapia ose observimi, radiacioni shtesë për të ndaluar gjakderdhjen, kirurgji për të lehtësuar vuajtjet e fistulës. Fola për dobinë e narkotikëve që largojnë dhimbjet, për barnat e ndryshme që mund ti zbusin kancerit disa nga terroret e tij. Mora të flas për gjëra konkrete dhe të shfaqja mendime që nuk kishin asnjë vlerë. Vazhdova kështu, pa fund, pa vënë re se buzëqeshja e  saj ishte zhdukur  dhe sytë e saj nuk më shikonin më. Ajo tani shikonte nga dritarja. Kur ajo nuk i u përgjigj entusiasmit tim, vura re, se ajo e kishte menduar zgjedhjen që do të bënte.

Pa u kthyer nga unë, ajo kapi gishtin tim. Prekja e saj ishte aq delikate, sa dhe pranvera jashtë dritares.

-         Po tha Të faleminderit

Kapja që i bëri dorës time ishte si çlirim për mua, por unë nuk ika. Ndjeja se kishte, akoma, diçka që nuk e kisha thënë.

-         Në se ka diçka që mund të bëj ….  thashë unë , por ajo ndërhyri:

-         E vlerësoj gjithçka që keni bërë

Kuptova, se gjithçka që kisha bërë për të deri në atë moment, nuk ishte aspak më pozitive nga përgjigja e biopsisë.

-         Në se nuk u shqetësoj, dëshiroj të qaj vetëm, tha ajo.

E kuptova sa pa takt isha sjellë. Duke ndjerë dhimbjen time, nuk e kisha vënë re sa shumë e kisha lënduar atë.

-         Më fal , i thashë.

Këto ishin fjalët që i kisha harruar. Ajo lëvizi kokën në shenjë faljeje. Një nënqeshje e mençur dhe e shpejtë që kaloi në fytyrën e saj, zbehu gjithçka në dhomë. Mendova të qëndroja, të hidhërohesha bashkë me të. Jo, vendosa të largohem. Po të rija dhe ta shikoja  duke qarë, do ti zhvishja asaj dhe të vetmen gjë që kanceri nuk ia kishte marrë- krenarinë. U largova përpara se lotët e parë të rridhnin.

Dr. Adem Harxhi

New York Shtator 22, 2011

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›