E Diel, 1 Nëntor 2026

SHUHET YAYOI KUSAMA/ Shndërroi halucinacionet e fëmijërisë në gjuhë artistike

Jajoi Kusama, ikona japoneze e artit bashkëkohor dhe një prej artisteve më të njohura në botë, është ndarë nga jeta në moshën 97-vjeçare. Artistja vdiq më 27 gusht në Tokio, pasi kishte vazhduar të krijonte deri në ditët e fundit. Ajo la pas një univers të veçantë artistik, ku pikat, pasqyrat, dritat dhe kungujt u kthyen në simbole të një karriere të jashtëzakonshme.

Yayoi Kusama, ikona japoneze e artit të pikave, është ndarë nga jeta në moshën 97-vjeçare. Artistja që për dekada e ktheu botën e saj të brendshme në ngjyra, pasqyra dhe hapësira pa fund, vdiq më 27 gusht në një spital në Tokio. Edhe në ditët e fundit të jetës, ajo vazhdoi të pikturonte, duke mos e lënë penelin nga dora.

E lindur në vitin 1929 në Matsumoto, Kusama u përball që në fëmijëri me halucinacione dhe vizione që më vonë do të bëheshin pjesë e artit të saj. Në vend që t’i fshihte, ajo i shndërroi në forma, pika dhe modele që do ta dallonin nga çdo artiste tjetër.

Në vitet ’60, ajo u largua drejt Nju Jorkut, ku u përball me një botë artistike të dominuar nga burrat. Ekspozitat e saj provokuese tërhoqën vëmendje, por Kusama u ndje e anashkaluar dhe pretendoi se disa artistë meshkuj kishin përfituar nga ide që lidhen me punën e saj.

E zhgënjyer, ajo u kthye në Japoni dhe u vendos në një spital psikiatrik. Aty, në vend që të ndalonte, vazhdoi të krijonte dhe ndërtoi gradualisht një univers që do ta kthente në një prej emrave më të mëdhenj të artit bashkëkohor.

“Infinity Mirror Rooms” u bënë ndër veprat më të famshme të saj. Pasqyrat dhe dritat krijonin ndjesinë e një hapësire pa fund, duke tërhequr miliona vizitorë në ekspozitat e saj në mbarë botën.

Më pas, pikat dhe kungujt u shndërruan në simbole të pandashme të Kusamës. Kungulli, në veçanti, kishte për të një kuptim emocional, duke përfaqësuar stabilitetin, kujtimet dhe paqen.

Në vitin 1993, ajo përfaqësoi Japoninë në Bienalen e Venecias, ndërsa dekada më vonë veprat e saj nisën të shiten për miliona dollarë. Një prej pikturave arriti rreth 10.5 milionë dollarë në ankand në vitin 2022.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›