SIRI – 18 të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite

DAMASK, 9 shtator /ATSH-DPA/ – Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 18 persona në provincën Hama të Sirisë, njoftoi të hënën agjencia zyrtare siriane e lajmeve, SANA.
”Rreth 43 persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë gjashtë të cilët janë në gjendje të rëndë”, shtoi SANA.
”Sulmet vonë të dielën shënjestruan një numër objektesh ushtarake në Hama. Sistemet mbrojtëse të vendit kapën dhe rrëzuan disa prej tyre”, tha ajo.
Edhe Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili ka dokumentuar dhunën në Siri që nga viti 2011, ka vendosur numrin e të vdekurve në 18.
Ai tha se avionët luftarakë izraelitë sulmuan objektiva pranë qytetit të Hama, në Sirinë perëndimore.
Izraeli ka bombarduar objektiva në Siri për të parandaluar Iranin dhe milicitë aleate të tij që të zgjerojnë ndikimin e tyre ushtarak në vendin e shkatërruar nga lufta.
Sulmet izraelite në Siri janë shtuar që nga fillimi i luftës në Gaza më 7 tetor./ a.jor.