E Diel, 1 Nëntor 2026

SIRI – 70 000 foto të publikuara zbulojnë torturat në burgjet e Asadit

BEJRUT, 4 dhjetor/ATSH-DPA/ – Rreth 70 000 fotografi duket se dokumentojnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në burgjet siriane nën regjimin e Asadit, sipas kërkimeve nga transmetuesi publik gjerman NDR.

Imazhet, të marra kryesisht mes viteve 2015 dhe 2024, tregojnë 10 212 trupa të vdekur, kryesisht burra, por edhe gra, të mitur dhe të paktën një foshnjë.

Sipas NDR-së, shumë prej trupave tregojnë shenja të qarta torture, kequshqyerjeje dhe keqtrajtimi.

”Fotografitë u publikuan nga një ish-anëtar i ushtrisë i cili ishte i punësuar në departamentin e ruajtjes së provave të policisë ushtarake në Damask”, tha transmetuesi.

Shumë nga fotografitë duket se janë bërë në morgun e spitalit ushtarak ”Harasta”, në verilindje të Damaskut.

Në një intervistë, ish-oficeri deklaroi se spitali ishte ekskluzivisht përgjegjës për fotografimin e trupave të transferuar nga agjencitë e shërbimeve sekrete.

NDR e ndau materialin me transmetuesin gjerman WDR, gazetën gjermane ”Süddeutsche Zeitung” dhe Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ).

Media të tjera ndërkombëtare morën pjesë gjithashtu në projekt.

Materiali i është dorëzuar gjithashtu prokurorit të përgjithshëm të Gjermanisë.

Hetimet për autorët e mundshëm brenda regjimit të Asadit mund të kryhen në Gjermani bazuar në parimin e juridiksionit universal.

Aktivistët e të drejtave të njeriut supozojnë se dhjetëra mijëra njerëz u ekzekutuan në burgjet siriane ose vdiqën si rezultat i torturës, mohimit të kujdesit mjekësor ose urisë gjatë sundimit të diktatorit Bashar al-Assad, i cili u rrëzua nga një aleancë rebele në dhjetor të vitit të kaluar.

Qeveria e re tranzitore është zotuar të sjellë para drejtësisë përgjegjësit./ /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›