E Diel, 1 Nëntor 2026

SKANDAL/ Gaz Dibra ndërron stil, tani jep kupona për blerje ushqimesh (i shpërndan vjehrri i Imamit)

Një tjetër skandal me ndihmat për fushatë, në këmbim të votës. Kandidatët e PD-së sofistikojnë mënyrën e shpërndarjes së ndihmave.

Ndryshe nga java e kaluar, i njëjti kandidat në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, në vend të qeseve me ushqime, shpërndan kuponë për blerje ushqimesh në një nga dy qendrat e mëdha tregtare në Tiranë, TEG dhe QTU.

Vota për PD-në tani mund të këmbehet menjë kupon ushqimor me vlerë prej tre mijë lekësh të reja.

Ndihmat ushqimore që futeshin nëpër qeska plastike, tani jepen nën dorë në një kartë.

Skandali i ndihmave është zbuluar përsëri nga gazetarët e Fiks Fare duke arritur të futen në zyrën elektorale të PD- së që ndodhet në njësinë nr. 7 të kryeqytetit, pranë unazës së Tiranës.

Fillimisht gazetarët kanë kontaktuar rojen e objektit, i cili u ka treguar se ndihmat për fushatën shpërndaheshin në zyrën e PD-së që ndodheshin në katin e tretë të ndërtesës.

Sipas tij, në këtë zyrë punonte vjehrri i ministrit Arben Imami, i cili pasi verifikon emrat në listë, jep të drejtën për të tërhequr kuponët.

Sipas tij, kjo mënyrë e shpërndarjes së ndihmave kishte një javë që kishte nisur.

Në bisedën me të, ai pranon se kanë shpërndarë ndihma gjatë paradites së djeshme dhe do të vazhdonin edhe pas orës 17.00.

Në listat që ai dispononte, personat që do të tërhiqnin kuponët ushqimorë, duhet të ishin gra, emrat e tyre duhet të konfirmohen nga zyrat e PD-së dhe të kenë edhe numrat e telefonit që i kanë adresuar për në atë zyrë.

Fiks Fare ka treguar mënyrën sesi duhet të paraqitesh në këto zyra për të tërhequr kuponin ushqimor.

Në zyrën ku edhe shpërndanin kuponët e ushqimit, gazetarët kontaktuan me dy vajza që ndodheshin në këtë njësi, të cilat shpërndanin kuponët ushqimore pasi verifikonin personin që i kishte dërguar, nëse kishin marrë konfirmimin e kandidatit të PD-së, zotit Dibra, dhe nëse ishin telefonuar në mëngjes nga ajo zyrë për tu paraqitur.

ndihmat

ndihmat 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›