SKANDALI/ Andis Harasani në listën e pasanikëve që fshehin pasuritë në streha fiskale
Një nga lajmet më të bujshme të kohëve të fundit ka qenë publikimi i një liste me pasanikë, të cilët fshehin pasuritë e tyre në të ashtuquajturat streha fiskale.
Rreth 2 milion e-maile dhe të dhëna të brendshme u publikuan nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigative.
Pati shumë kuriozitet se kush do të ishte mes politikanëve shqiptarë në këtë listë.
Dhe Balkan Insight ka zbuluar emrin e parë.
Bëhet fjalë për Andis Harasanin, ish- deputetin e Partisë Socialiste.
Të dhënat e rrjedhura tregojnë se 41- vjeçari Harasani, që e la parlamentin pa mbyllur mandatin, ka regjistruar një kompani mijëra kilometra larg, në Ishujt Virgjin.
Sipas dokumenteve të Balkan Insight, Harasani ka regjistruar aty kompaninë White Ebony Holdings Ltd, në të cilën ai është edhe drejtor dhe aksioner.
Të dhënat tregojnë se kompania është regjistruar fillimisht në Singapor, një tjetër strehë e famshme fiskale, ndërkohë që adresa e biznesit është në një apartament në Bon të Gjermanisë. Motra e Harasanit, që është gazetare me radion Dojçe Vele, jeton në këtë adresë.
I zgjedhur dy herë në parlament në vitin 2005 dhe 2009, Harasani ka drejtuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, kompaninë më të madhe publike në Shqipëri, me gjysmë miliard euro shitje.
Në shtator të vitit të shkuar ai dha dorëheqje si deputet dhe u vendos në Nju Jork për të drejtuar një kompani të quajtur Phoenix Network LLC.
Në një intervistë për të përjavshmen JAVA, ai pati deklaruar se po ngre një kompani ndërtimi në Nju Jork, në zonën e Manhatanit.
Ligji e detyronte Harasanit që të deklarojë të gjitha burimet e të ardhurave, por në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ai e ka mbajtur të fshehtë kompaninë e regjistruar në këtë strehë fiskale.
Vetë Harasani nuk i është përgjigjur kërkesave të Balkan Insight për koment.
Por përveç Harasanit, në listën e publikuar del edhe emri i Gazmir Tahirit, drejtor i Administratës Detare Shqiptare.
Tahiri ka në pronësi një kompani të quajtur Floryien Shipping.
I kontaktuar në zyrën e tij në portin e Durrësit, Tahiri thotë se e ka mbyllur kompaninë gjashtë vjet më parë.
Kam jetuar dhe punuar në Turqi për 16 vite dhe kur jam kthyer në Shqipëri, e kam mbyllur kompaninë, tha ai.
Balkan Insight shkruan se Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në rajon dhe njihet për pastrim parash në parajsa të tilla fiskale.
Vitin e shkuar një grup avokatie me qendër në Uashington deklaroi se 1.3 miliard dollarë kanë dalë jashtë Shqipërisë për në streha fiskale gjatë viteve 2005- 2010.
Ndërkohë deputeti socialist, Taulant Balla, akuzoi në vitin 2011 Genc Pollon, ministër i Teknologjisë, se ka marrë një ryshfet prej 1.3 milion euro nga një kompani qipriote.
Pollo i hodhi poshtë akuzat dhe ngriti një padi ndaj Ballës.
Por një vit më vonë Pollo tërhoqi akuzat, pikërisht kur kishte nisur gjyqi.
Fatos Lubonja thotë për Balkan Insight se skandalet nuk shkaktojnë ndonjë reagim në Shqipëri.
Vendi nuk ka gazetari investigative, nuk ka gjyqësor të pavarur. Shoqëria është e urtë dhe e pranon sistemin e korruptuar në atë mënyrë që pranonte me urtësi diktaturën staliniste, thotë ai./ep