Merrte 100 euro në ditë nga të burgosurit e dërguar me leje, arrestohet drejtori i burgut të Shënkollit
Drejtori i burgut të Shënkollit në Lezhë, Valentin Miri, kishte siguruar një mënyrë mjaft efikase për të garantuar me një të rënë të lapsit sasi të konsiderueshme të hollash.
Shpërblimi i të burgosurve me leje- lirie kundrejt parave ishte mekanizmi i vjeljes së të ardhurave në mënyrë korruptive nga drejtori i Burgut të Shënkollit.
Kjo skemë ka funksionuar deri në mesditën e së premtes, kur burime zyrtare të Policisë së Shtetit bënë me dije arrestimin e 37- vjeçarit.
Pas një hetimi intensiv 3 mujor në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Tiranës, njësinë Task Force, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe njësitë e specializuara të saj bënë të mundur arrestimin e drejtorit të IEVP, Lezhë, Valentin Miri. SHKBB pas mbledhjen së një sërë provash materiale ka provuar se drejtori i burgut Valentin Miri ka konsumuar veprat penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorimit të detyrës, thuhet në deklaratën e policisë.
E ndërsa 37- vjeçari është arrestuar në mesditë, burime nga grupi i hetimit thanë për TemA-n se drejtori i burgut për çdo leje të firmosur kërkonte nga 100 euro në ditë, skemë kjo që të paktën për më shumë se tre muaj ka funksionuar, kohë që drejtori ka qenë nën hetim.
Burime të besueshme thanë se hetimet për Valentin Mirin kanë nisur pas një kallëzimi të një prej personave të prekur nga skema korruptive që drejtori kishte ngritur në burgun që menaxhonte.
Për më shumë se tre muaj, Valentin Miri është mbajtur nën vëzhgim nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilat kanë siguruar prova të mjaftueshme ndaj Valentin Mirit për të ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Përveç sasive të konsiderueshme të të hollave që policia ka sekuestruar në shtëpinë e drejtorit të burgut të Shënkollit, burime të policisë thanë se kanë siguruar disa orë përgjimi të bisedave telefonike, ku Valentin Miri fliste me të burgosurit, të cilëve u kërkonte para në shkëmbim të lejeve të lirisë. Burime të grupit të hetimit bëjnë me dije se janë të dokumentuara më shumë se tre raste abuzive të Valentin Mirit, ndërkohë që pas arrestimit të tij materialet i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Burgu i Shënkollit prej kohësh është një ndër qendrat më problematike të vuajtjes së dënimit. Përveç grevave të njëpasnjëshme të urisë të të burgosurve janë me dhjetëra incidente të rënda, deri në përleshje mes të burgosurve, që kanë ndodhur vitet e fundit në këtë burg, i konsideruar me masa sigurie relativisht të mesme./l.ç