SLLOVAKI – Mijëra protestues kundër masave shtrënguese dhe politikave pro-ruse

BRATISLAVË, 16 shtator /ATSH/- Mijëra njerëz u mblodhën sot në të gjithë Sllovakinë – në një protestë masive mbarëkombëtare kundër politikave ekonomike dhe pro-ruse të kryeministrit populist Robert Fico, sipas AP.
Protestat u zhvilluan në 16 qytete dhe qyteza të mëdha, përfshirë kryeqytetin e Bratislavës.
Vala e fundit e protestave është nxitur nga një udhëtim i Ficos në Kinë, gjatë të cilit ai u takua me presidentin rus, Vladimir Putin – për herë të tretë që nga pushtimi i plotë rus në Ukrainë.
Një paketë masash shtrënguese e miratuar së fundmi nga qeveria i zemëroi më tej protestuesit.
Qeveria tha se masat ishin të nevojshme për të ulur deficitin buxhetor.
Deficiti pritet të kalojë 5% këtë vit, duke tejkaluar limitin prej 3% të kërkuar nga Bashkimi Evropian.
Masat përfshijnë rritje të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, taksën mbi të ardhurat për ata që fitojnë më shumë dhe taksën mbi vlerën e shtuar për disa produkte ushqimore.
Protestat u rifilluan javën e kaluar për të kundërshtuar takimin e Fico me Putinin së bashku me udhëheqës të tjerë autoritarë në Pekin.
Fico ishte i vetmi drejtues i një vendi të Bashkimit Evropian që mori pjesë në një paradë ushtarake të organizuar nga presidenti kinez, Xi Jinping për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Fico ka qenë prej kohësh një figurë përçarëse në Sllovaki dhe më gjerë.
Ai u rikthye në pushtet për herë të katërt pasi partia e tij e majtë Smer, ose Drejtimi, fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2023.
Ai ka sfiduar hapur politikat e Bashkimit Evropian mbi Ukrainën.//a.i/