E Premte, 6 Nëntor 2026

SLLOVAKI – Përmirësohet gjendja shëndetësore e kryeministrit Fico

BRATISLAVË, 16 maj /ATSH-DPA/ – Kryeministri sllovak Robert Fico, i cili u plagos rëndë dje pas një atentati, ka rifituar vetëdijen pas një operacioni që zgjati disa orë, njoftuan mediet lokale.

Megjithatë, as televizioni TA3 dhe as gazeta ”Dennik” nuk dhanë dje ndonjë informacion të mëtejshëm për gjendjen shëndetësore të Ficos.

Më herët në mbrëmjen e së mërkurës, sipas informacioneve zyrtare, 59-vjeçari kishte qenë në rrezik për jetën.

Që atëherë nuk ka pasur asnjë deklaratë apo shpjegim të ri nga qeveria.

Politikani 59-vjeçar nacionalist i majtë u dërgua në spital me helikopter pasi u qëllua në qytetin Handlova.

Dëshmitarët okularë raportuan në televizion se pesë të shtëna u dëgjuan përpara Shtëpisë së Kulturës në Handlova, rreth 192 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislavë.

Një e shtënë e goditi në gjoks.

Stacioni televiziv lokal RTV Prievidza publikoi një video të incidentit që tregonte një burrë që shtynte gardhin dhe qëllon në drejtim të kryeministrit nga një distancë e afërt.

Policia njoftoi se kishte arrestuar sulmuesin për të cilin kanali televiziv sllovak TA3 raportoi se ishte Juraj C., një ish-punonjës i një shërbimi privat të sigurisë.

Kjo nuk u konfirmua zyrtarisht fillimisht.

Pavarësisht një embargoje informacioni, transmetuesi mundi të siguronte një video incizim nga spitali.

Në të, sulmuesi i dyshuar me pamje të trullosur tha se “unë nuk jam dakord me politikën e qeverisë”.

Me një zë të turbullt, ai përmendi si shembull konkret planin e qeverisë për mbylljen e radiotelevizionit publik RTVS, kundër të cilit mijëra njerëz kanë protestuar prej javësh.

Ministri i Brendshëm Matush Sutaj-Estok njoftoi rritjen e mbrojtjes policore për politikanët dhe gazetarët.

Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje medieve, politikanëve nga të gjitha kampet dhe publikut që të ndalojnë “nxitjen e urrejtjes kundër kundërshtarëve politikë”.

Klima mes qeverisë dhe opozitës sllovake konsiderohet shumë e keqe./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›