E Diel, 1 Nëntor 2026

SLLOVENI – Përmbytje dhe rrëshqitje toke pas shirave të dendur

BRDO (Slloveni), 17 nëntor /ATSH-STA/ – Banorët e Sllovenisë perëndimore po përgatiten për rrebeshe shiu, pasi shiu i rrëmbyeshëm i së dielës në mbrëmje shkaktoi përmbytje të disa ndërtesave dhe rrëshqitje toke.

Një urë në Brdo u shemb dhe disa rrugë u dëmtuan duke i lënë të izoluar rreth 150 njerëz në vendbanime të vogla në komunën e Brdës.

”Shiu ishte më i fortë në zonën midis Brdës dhe Tolminit me më shumë se 100 milimetra reshje shiu në 12 orë”, tha sot Agjencia sllovene e Mjedisit (ARSO).

Disa ndërtesa u përmbytën për shkak të ujërave, ndërsa shiu i rrëmbyeshëm shkaktoi gjithashtu shumë rrëshqitje toke.

Komuna Kanal raportoi për 15 rrëshqitje toke.

Njësia lokale e Mbrojtjes Civile po monitoron situatën, pasi rrëshqitjet e tokës janë ende duke lëvizur.

Prioriteti i tyre është të rilidhin të gjitha fshatrat që janë izoluar.

Kryetarja e administratës komunale të Brdos, Anita Manfreda, tha se ata regjistruan më shumë se 30 episode, përfshirë pesë ose gjashtë rrëshqitje të mëdha toke.

”Shkalla e dëmit do të dihet në ditët në vijim”, tha Manfreda, duke shtuar se vetëm riparimet e urës do të kushtojnë midis 500 000 dhe 800 000 euro.

Kryetari i bashkisë së Brdos, Franc Muzhiç tha se komuna nuk do të jetë në gjendje të rinovojë gjithçka të shkatërruar nga shiu i rrëmbyeshëm dhe se ata presin që shteti t’i ndihmojë.

Shirat e rrëmbyeshëm parashikohen edhe për natën e së hënës, por pritet të qetësohen deri të martën në mëngjes.

”Për shkak të reshjeve të parashikuara, rreziku i rrëshqitjeve të tokës është rritur në Slloveninë perëndimore sonte”, tha Instituti i Gjeologjisë, duke shtuar se rrëshqitjet e dheut mund të shkaktohen edhe në ditët në vijim./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›