SMS Qeveria
Arsim Lani është gazetar në Klan Kosova, i cili mbulon aktivitetet e Qeverisë.
Ai thotë se qysh në mëngjes, kur del në punë, e di se po që se duhet të bëjë ndonjë temë për Qeverinë, has në pengesa.
Kjo për shkak se Qeveria e Kosovës nuk ka zëdhënës, detyra e të cilit është të komunikojë me gazetarët në vend.
Detyrën e zëdhënësit para 22 shkurtit, kur edhe është votuar qeveria e re, e ka mbajtur Memli Krasniqi, tash ministër i Kulturës.
Njeriu i vetëm, i cili shpeshherë del para mediave, është zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
“Provoj me e thirr Kuçin, por kjo paraqet sërish problem, sepse ai ka dy pozita në ekzekutiv dhe jo gjithherë është i gatshëm të përgjigjet. Njeri tjetër që flet në emër të Qeverisë nuk ka”, thotë Lani.
Sipas tij, ai dhe gazetarët tjerë shpesh detyrohen të përdorin burime dytësore.
“Kur i citojmë, si burime jozyrtare, atëherë besueshmëria e asaj që bëjmë është më e vogël. Qeveria qëllimisht nuk po cakton një zëdhënës, pasi ende nuk po gjen një person të besueshëm, i cili është në gjendje të mos publikojë informacione”, thekson Lani.
Ai konsideron se kryeministri në këtë mënyrë po përpiqet që ta kontrollojë çdo informacion që del nga Qeveria.
Për mungesën e zëdhënësit të Qeverisë ka shprehur keqardhje edhe ish-zëdhënësi Memli Krasniqi.
“Mua më vjen keq dhe nuk ndihem mirë që nuk ka një zëdhënës. E di se ju mediat keni probleme kur bëhet fjalë për komunikimin mes mediave dhe Qeverisë”, thotë ai.
Kur gazeta ia ka dërguar një SMS zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, duke kërkuar që t’i përgjigjet pyetjes rreth një teme, ai po nëpërmjet SMS është përgjigjur shkurt: “Jam jashtë”.
Mungesën e zëdhënësit të Qeverisë e sheh shumë problematike dhe shqetësuese Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK).
“Kjo tregon më së miri se Qeveria tregon mosinteresim që të përgjigjet për çështje të ndryshme që i preokupojnë mediet”, thotë Arben Ahmeti, kryetar i AGPK`së.
Sipas tij, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk është fare transparent karshi medieve.
“Ai përgjigjet atëherë kur mendon se mund të dërgojë mesazh të mirë nga Qeveria. Ka shumë raste kur ai kërkon t`i drejtohen pyetjet me SMS dhe përgjigjja e tij varet nga tema që e trajton gazetari. Komunikimi ka rënë në nivel SMS-sh”, thotë ai.
Sipas AGPK-së, ekziston edhe një arsye tjetër pse Qeveria ende nuk ka zëdhënës.
“Qeveria e ka shumë të vështirë që të gjejë një njeri kredibil, i cili do të mund të prezantonte punën e saj, duke pasur parasysh edhe faktin se deri më tash asnjëherë nuk kemi pasur zëdhënës të nivelit të duhur, përfshirë edhe këtë të fundit”, thotë Ahmeti.
Memli herë flet, herë jo
Në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje bëri publike kontratën për autostradën me Bechtel- Enka, Memli Krasniqi reagoi në emër të Qeverisë, duke iu kthyer zanatit të vjetër. Por, të premten, ai nuk dha qëndrimin e ekzekutivit në lidhje me krijimin e Task Forcës së BE-së për hetimin e akuzave të Dick Martyt.
“Më vjen keq, por nuk kam mandat të flas në cilësinë e zëdhënësit të Qeverisë”, tha ai.