Ilegal me Serbi
Eksporti me Serbinë nuk është i bllokuar tërësisht. Pavarësisht se ky shtet ka vënë bllokadë që tri vjet radhazi për produktet kosovare, tregtarët vendorë po gjejnë mënyra të tjera për të eksportuar mallrat e tyre në Serbi. Saktësisht, ky eksport po bëhet nëpër rrugë ilegale. Disa prej eksportuesve kosovarë po pajisen edhe me dokumente nga strukturat paralele në vend, e disa prej tyre po e shfrytëzojnë ilegalisht pjesën veriore të Kosovës për të qarkulluar në tregun e këtij shteti.
Edhe pse Serbia nuk respekton marrëveshjen për tregti të Lirë, CEFTA dhe nuk pranon vulën e dokumentet e tjera të Republikës së Kosovës, megjithatë po shfrytëzon forma të ndryshme që të blejë mallrat kosovare. Sipas të dhënave që ofron Enti i Statistikave të Kosovës, në prill të këtij viti në këtë shtet janë eksportuar mallra në vlerë prej 557 mijë eurosh, ose gati katër herë më shumë se në të njëjtin muaj të viti të kaluar.
Burime në Doganën e Kosovës bëjnë të ditur se tregtarët kosovarë për të dalë në tregun e Serbisë po pajisen me dokumente nga strukturat paralele në vend.
“Edhe pse nuk e kanë të mundshëm eksportin drejt Serbisë, ka raste kur kompanitë kosovare po pajisen me dokumente në institucionet paralele dhe kështu ju mundësohet qarkullimi drejt këtij shteti”, thotë ky burim për Express. E qarkullimi në tregun serb, varet edhe prej doganierëve që janë në pikat kufitare.
“Eksportimi me dokumente të institucioneve paralele varet më shumë edhe nga ajo se kush qëllon në ndërrim prej anës serbe, sepse ka disa që nuk lejojnë qarkullimin edhe me këso dokumente”, tregon ky burim për gazetën.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, pranon për “Express” se ka eksport indirekt në këtë shtet, por jo ilegalë. Sipas tij, tregtarët shfrytëzojnë rrugë të tjera për të shitur mallrat e tyre në Serbi.
“Kompanitë kosovare shfrytëzojnë Malin e Zi e Maqedoninë për të dalë në tregun serb. Ata fillimisht eksportojnë në këto shtete, e pastaj prej aty mallrat e tyre dalin në Serbi, edhe pse kjo rrugë u kushton shumë më shtrenjtë”, thotë Stavileci.
E tregtarët kosovarë thonë se nuk janë në dijeni se cilat rrugë shfrytëzohen për të eksportuar mallrat kosovare drejt këtij shteti. Sipas tyre, produktet e tyre nuk mund të kalojnë në tregun e Serbisë as përmes Malit të Zi, e as Maqedonisë.
Bedri Kosumi, prodhues i patates, thotë se ai asnjë kilogram që nga viti 2008 nuk e ka eksportuar në shtetin serb. Ai madje thotë se nuk ka arritur të shfrytëzojë as rrugët e tjera, si përmes Malit të Zi e Maqedonisë.
“Nuk kam mundur asnjëherë deri tash ta shfrytëzoj as Malin e Zi, e as Maqedoninë për të eksportuar në Serbi, sepse produkti përmban prapëseprapë shenja se është kosovar”, thotë Kosumi. Ai thotë se nuk kanë informata se cilat janë ato kompani që po arrijnë të eksportojnë në këtë shtet. Përfaqësuesit e biznesit në vend thonë se në tregun serb mund të dalin vetëm hekurishtet, e asgjë më shumë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tregon se eksporti ilegal mund të bëhet përmes veriut të vendit. E produktet që eksportohen në Serbi përmes kësaj rruge thotë se janë hekurishtet. E ai tregon se ka mundësi të ndryshme për të qarkulluar në tregun serb.
“Kompanitë kosovare gjejnë mundësi qoftë përmes Malit të Zi, Maqedonisë për t’i ndryshuar dokumentet e për të eksportuar në këtë shtet. Por është edhe mundësia e marrjes së dokumenteve nëpër enklava serbe dhe rruga përmes veriut të Kosovës, në të cilën po bëhet eksporti ilegal drejt Serbisë”, thotë Shahini.
Sipas tij, ky shtet i lejon hekurishtet në tregun e vet, për shkak të nevojës që ka tregu atje. Kjo thotë se nuk po bëhet me dëshirën e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. “Kjo tregon se politikat fiskale dhe tregtare janë në favor të ekonomisë serbe, e jo të Kosovës”, thotë kreu i AKB’së, Shahini. Shkëmbimet tregtare thotë se janë shumë të mëdha më këtë shtet sesa me Shqipërinë. E kjo, sipas tij, falë bashkëpunimit të tregtarëve kosovarë dhe krijimit të porteve të tjera me tregun e Serbisë.
“Vendi ka diku gjysmë milionë euro eksport në Serbi, në krahasim me importin dhjetëra miliona euro nga ky shtet”, tha ai. Që nga shpallja e Pavarësisë, Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë bllokuar produktet kosovare dhe nuk i njohin vulat e Republikës së Kosovës. E, Qeveria shumë shpejt pritet të marrë vendimin që për këto produkte të aplikojë tarifën doganore prej 10 për qind. Sipas të dhënave të ESK-së, deficiti tretar është në rritje. Në mars, minusi ishte 163 milionë euro, kurse në prill 166 milionë euro.
Mirëpo, shkalla e mbulimit të importit me eksport është pak më e mirë, nga 14,1 për qind në 15 për qind. Në tërësi, u eksportuan 29,3 milionë euro, ose 15,2 për qind më shumë. Ndërkaq importi ishte në shumën 195,8 për qind, përkatësisht 8,7 për qind më shumë. Edhe më tutje, shtyllë kryesore e eksportit janë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, ku “Ferronikeli” dhe hekuri mbeturinë përbëjnë gati 60 për qind të eksportit.