E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SOFT NEWS – Harris dhe Trump me numër të barabartë votash, pas hapjes së kutisë së votimit me gjashtë votues

DIXVILLE NOTCH, 5 nëntor /ATSH-AA/ – Kandidatja demokrate, Kamala Harris dhe kandidati republikan Donald Trump fituan numër të barabartë votash në qendrën e parë të hapur të votimit, që shënoi fillimin zyrtar të ditës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Dixville Notch, një vendbanim i vogël në shtetin New Hampshire, ka vetëm gjashtë votues të regjistruar.

Sipas ABC News, Harris dhe Trump morën nga tre vota.

“Grupi i mesnatës”, siç njihet ndryshe votimi në këtë vendvotim, pasqyron atë që kanë parashikuar analistët edhe për mbarë garën presidenciale, e cila pritet të jetë shumë e ngushtë.

Votuesit në Dixville Notch kanë mbështetur kandidatin demokrat në dy zgjedhjet e fundit presidenciale.

Në vitin 2020, ata votuan njëzëri për Joe Biden, duke i dhënë atij të pesë votat e hedhura.

Në vitin 2016, ish-sekretarja e shtetit Hillary Clinton fitoi katër nga shtatë vota, ndërsa Trump mori dy dhe kandidati Gary Johnson një.

Trump fitoi në garë atë vit dhe shërbeu një mandat, përpara se të mposhtej nga Biden dhe Harris./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›