E Diel, 1 Nëntor 2026

SOFT NEWS – Japonia lejon pantallonat e shkurtra në zyra për të përballuar vapën ekstreme

TOKIO, 22 korrik /ATSH/ – Autoritetet japoneze kanë zgjeruar fushatën ”Tokyo Cool Biz”, duke u bërë thirrje punonjësve të zyrave të zëvendësojnë kostumet me veshje më të lehta, përfshirë edhe pantallonat e shkurtra, ndërsa vendi po përballet me temperatura që në disa zona po i afrohen ose po kalojnë 40 gradë Celsius, sipas BBC. Qeveria Metropolitane e Tokios thekson se masa nuk është detyruese, por synon t’u japë punonjësve më shumë mundësi për të përballuar vapën e madhe, duke ulur njëkohësisht edhe përdorimin e kondicionerëve.

Ndërkohë, Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka prezantuar termin ”kokushobi”, që do të thotë ”ditë mizorisht e nxehtë”, për temperaturat mbi 40 gradë Celsius.

Paralajmërime për goditje nga nxehtësia janë nxjerrë në 41 nga 47 prefekturat e vendit, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin ekspozimin në diell dhe të përdorin ajrin e kondicionuar.

Vendimi për lejimin e pantallonave të shkurtra në zyrë ka nxitur debat në Japoni.

Sipas një sondazhi, 53,5 për qind e të anketuarve janë kundër kësaj ideje, ndërsa 46,5 për qind e mbështesin.

Disa kritikë shprehen se veshja mund të ndikojë në imazhin profesional, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një masë të domosdoshme për t’u përshtatur me temperaturat gjithnjë e më ekstreme.

Fushata “Cool Biz” u lançua në vitin 2005 për të nxitur veshje më të lehta gjatë verës dhe për të kursyer energji.

Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive, ndërsa Japonia regjistroi verën më të nxehtë në historinë e saj vitin e kaluar. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›