SOFT NEWS – Putini i bën Trumpit një dhuratë personale

MOSKË, 24 mars /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë homologut të tij amerikan, Donald Trump një dhuratë absolutisht personale duke ia paraqitur atë të dërguarit special të Trump, Steve Witkoff javën e kaluar, tha sot Kremlini.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov nuk e zbuloi natyrën e dhuratës, por mediet amerikane raportuan se Witkoff tha se ishte një portret i Trump i pikturuar nga një artist i shquar rus.
Peskov tha se nuk do të kishte informacione të mëtejshme zyrtare për dhuratën, pasi ishte e natyrës personale, përveç nëse Putini e siguronte vetë.
Putin në të kaluarën ka shprehur admirim për Trumpin, veçanërisht pas një atentati korrikun e kaluar, kur një plumb goditi veshin e Trump.
Zëdhënësi i Kremlinit tha se ekziston një dëshirë dhe gatishmëri si në Rusi ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara për të bërë përparim në rrugën drejt një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë.
”Kjo kishte të bënte me një seri të tërë aspektesh, mbi të cilat po vazhdonin bisedimet midis përfaqësuesve rusë dhe amerikanë në Riad”, tha ai.
Në veçanti, Peskov tha se bisedimet po përqendroheshin në sigurinë e transportit detar në Detin e Zi, veçanërisht për transportin e grurit ukrainas.
Rusia anuloi një marrëveshje të mëparshme të Detit të Zi me arsyetimin se po shkeleshin interesat e veta./ a.jor.