SPAK: 3 vjet burg Jorgo Goros! Ish-kryebashkiaku i Himarës akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “fshehje pasurie”

Prokuroria e Posaçme kërkon shpalljen fajtor dhe dënimin me 3 vjet burg të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.
SPAK e akuzon atë për “shpërdorim detyre” në dy raste dhe “fshehje pasurie”, të dyja këto vepra penale të kryera në bashkëpunim me vartës të bashkisë së drejtuar prej tij dhe ish- zyrtarë të Kadastrës.
Prokurori, Ols Dado, që përfaqëson akuzën, thotë se Goro me ish-Drejtorin e Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Territorit, Jerasimo Bashi kanë kryer veprime për të privatizuar një tokë bujqësore.
Shkresat më pas të dy, ia kanë dërguar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës duke bërë private tokën, 5512 metra katrorë dhe njëherësh duke i zhveshur shtetit pronësinë që më herët gëzonte mbi të.
Ndaj dhe për Jerasimo Bashin, prokurori kërkoi të dënohet me 3 vjet burg. Momenti i dytë që dyshohet se Jorgo Goro ka shpërdoruar detyrën është përmes zhvendosjes në terren të një toke tjetër bujqësore, 5080 metër katrorë.
Arsyeja për këtë veprim është që të dyja pronat të bashkoheshin në një të vetme.
Këto prona Goro ia vuri në dispozicion në mënyrë të paligjshme, Stavri Mëhillit, që ky i fundit t’ia kalonte një subjekti tregtar për të ndërtuar një kompleks në të gjithë truallin që u tjetërsua.
Po sot, prokurori i posaçëm kërkoi dy vjet burg edhe për një tjetër zyrtar të kohës, punonjës i Kadastrës. Fjala është për Vezir Gjikokën.
Për të dyja këto troje që vënë nën sekuestron e SPAK, prokurori kërkoi konfiskim.
Kallëzimi për Jorgo Goron u bë që në gusht nga Fredi Beleri./vizionplus.tv