E Martë, 3 Nëntor 2026

SPAK apo Prokuroria e Tiranës? Gjykata e Lartë shtyn më 12 mars fatin e hetimeve për “21 Janarin”

Gjykata e Lartë do të vendosë më 12 mars mbi fatin e hetimeve për çështjen e “21 Janarit”, nëse dosja do të shqyrtohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) apo Prokuroria e Tiranës. Me vendimin e kësaj të marte (27 shkurt), Gjykata e Lartë kërkoi po ashtu që shqyrtimi të bëhet me praninë e palëve.

Ishin familjarët e Aleks Nikës që ankimuan vendimin e Prokurorisë së Posaçme që shpalli moskompetencë për hetimet për “21 Janarin” në shkurt të vitit të kaluar.

Dosja për vrasjen e Aleks Nikës po hetohet nga Prokuroria e Tiranës prej të paktën 3 vitesh. Hetuesit janë në pritje të ekspertizës që do t’i bëhet predhës që u gjet në trupin e Nikës. Për shkak se predha ishte e dëmtuar, prokuroria shqiptare kërkoi ndihmë në një laborator të specializuar në Itali.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata e Strasburgut tha se ngjarja e “21 Janarit” ishte krim shtetëror dhe se duhet hetuar si i tillë.

Sipas tyre, në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 janë vërejtur mangësi të shumta të cilat ngritën dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›