SPAK e mori të pandehur për “shpërdorim detyre”, Duro: Kam firmosur sipas ligjit

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur kryetarin e bashkisë së Devollit, Eduard Duro.
Bëhet me dije se Duro akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ka licencuar një pikë karburanti e cila ishte ndërtuar pa leje. Akuza i është komunikuar nga SPAK pak ditë më pare, raportojnë mediet.
Ky është mandati dytë i Duros në krye të bashkisë së Devollit.
Kryebashkiaku Duro, në një reagim për mediet thekson se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se ka firmosur sipas ligjit.
“Sektori i tatim taksave ka dhënë autorizim për shitje karburanti brenda dhe konform ligjit. Shtetasit J.K dhe M.K kanë bërë denoncim se ky dokument nuk i duhej dhënë subjektit “Genci Petrol”. Kam firmosur çdo gjë siç e kërkon ligji dhe nuk bëhet fjalë për shpërdorim detyre, por për detyrë të plotësuar në kushtet e një kryetari bashkie”, ka deklaruar ai.
/r.e/a.f/