Prefekti i Kukësit mbledh taskforcën: Arritjet në turizëm për vitin 2025 të jenë edhe më të larta

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Prefekti i qarkut të Kukësit, Agron Geca ka zhvilluar sot një takim me anëtarët e Taskforcës Lokale Ndërinstitucionale për Sezonin Turistik Veror.
Fokusi i takimit ishte raportimi mbi mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2024, zbatimi i detyrave sipas planit të masave, problematikat e hasura, si dhe propozime në lidhje me masat që duhen marrë në të ardhmen për përmirësimin e problematikave të konstatuara.
Prefekti Geca në fjalën e tij theksoi vlerat e potencialeve të shumta turistike që ka qarku i Kukësit, ku kërkoi një bashkëpunim të shtuar ndërmjet degëve territoriale dhe Njësitë të Vetëqeverisjes Vendore.
Gjatë fjalës së tyre, anëtarët e taskforcës raportuan mbi realizimin e planit të masave të miratuara prej tyre gjatë periudhës së sezonit turistik veror dhe evidentuan problematik e hasura për këtë periudhë me qëllim përmirësimin e tyre në të ardhmen.
Në fund të takimit Prefekti la detyra dhe rekomandime në zbatim të Planit të Masave për çdo anëtar të taskforcës, përfaqësues të institucioneve dhe Organeve të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, duke kërkuar që arritjet në fushën e turizmit për vitin 2025 të jenë edhe më të larta.
/a.f/r.e/