E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK e thirri për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve, avokati Cakrani kërkon shtyrjen! Meta: Më njoftoi gardiani, jo Prokuroria

Prokuroria e Posaçme ka thërritur këtë të martë (29 korrik) presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve 9 muaj pas arrestimit të tij, por avokati Kujtim Cakrani ka kërkuar shtyrjen me disa ditë.

Nga ana e tij, vetë Meta ka mohuar të ketë marrë shkresë zyrtare nga SPAK, por sqaron se ka qenë një prej gardianëve që i ka komunikuar në mënyrë verbale paraqitjen në SPAK.

Ka qenë Meta ai i cili ka njoftuar avokatin e tij mbi njoftimin e dhënë nga gardiani, por Cakrani nuk ndodhet në Shqipëria aktualisht.

Meta shton ndër të tjera në postimin e tij në rrjetin social Facebook se, pret që pas 6 vitesh hetime, të provohet ajo që ai e cilëson si “proces farsë”.

“Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi.

U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian.

Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur”, shkruan Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›