E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SPAK kërkon 1 vit burg për ish-drejtoreshën e ARRSH

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Prokuroria e Posaçme ka relatuar para Gjykatës së Posaçme konkluzionet përfundimtare për Sonila Qaton, ish-drejtoreshë e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të pandehurit e tjerë, për shkelje të barazisë në tenderin për rrugën Kardhiq-Delvinë.

SPAK ka kërkuar dënimin e Qatos me 1 vit burgim dhe për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik. SPAK ka kërkuar dënimin edhe për 8 ish-zyrtare te tjerë të ARRSH qe dyshohen për shkelje të barazisë në tenderë dhe falsifikim dokumentesh.

Qato dhe të pandehurit e tjerë akuzohen për tenderin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë.  Tenderi për lotin 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë u zhvillua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në qershor të vitit 2019.

Qato mbajti për nëntë muaj detyrën e drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar deri në shtator 2019, kur dha dorëheqjen.

Në garë morën pjesë 6 kompani, dhe ofertat e paraqitura prej tyre shkonin nga 15 deri në 19 milionë euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

ARRSH skualifikoi 5 ofertat më të ulëta, me pretendimin se nuk përmbushnin kriteret teknike duke shpallur fituese ofertën më të lartë, përkatësisht atë të një kompanie italiane, pas të cilës qëndronte një kompani shqiptare. Kjo kompani kishte ofruar ta ndërtonte tunelin për 19 milionë euro (pa TVSH) ose 4 milionë euro më shumë sesa oferta më e ulët e dhënë nga një tjetër kompani.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit për katër kompani skualifikimi ka qenë i drejtë, pasi nuk përmbushnin kriteret, ndërsa oferta më e ulët është skualifikuar në kundërshtim me ligjin. Dëmi sipas KLSH vlerësohet plot 5 milionë euro, duke përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar. Dosja kaloi në SPAK dhe pas përfundimi të gjykimit, SPAK lexoi sot pretencën, ku kërkoi dënimin e të pandehurve.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›