E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK kërkon 4 vite e 6 muaj burg për Pirro Xhixhon, konfiskim të vilës dhe 7 vite e 6 muaj për Fatime Kryemadhin

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Prokurori i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Sotir Kllapi, i cili përfaqëson akuzën në çështjen ndaj Ilir Metës, ka kërkuar dënimin me gjithsej 19 vite burg për tre të pandehurit e veçuar në një fraksion të dosjes, Fatime Kryemadhin, Ema Çokun dhe Pirro Xhixhon. Të tre janë veçuar nga pjesa tjetër e çështjes, pasi kanë kërkuar të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Mediet raportojnë se për ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho, i dyshuar për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite e 6 muaj burg. Nëse pranohet gjykimi i shkurtuar, dënimi ulet në 3 vite burg.

Gjithashtu po sipas medieve SPAK, duke marrë në konsideratë moshën e Xhixhos dhe faktin që ai nuk ka përfituar, dënimi me burg të konvertohet në shërbim prove.

Ndërsa për Fatime Kryemadhin, e akuzuar për pastrim parash të kryer në bashkëpunim, SPAK ka kërkuar dënimin me 7 vite e 6 muaj burg. Me gjykim të shkurtuar, dënimi reduktohet në 5 vite burg. Edhe për Kryemadhin, SPAK ka kërkuar që dënimi me burg të konvertohet në 5 vite shërbim prove, duke marrë parasysh moshën e saj.

Për Ema Çokun, e dyshuar për pastrim parash e kryer në bashkëpunim, SPAK kërkon dënimin me 7 vite burg, me gjykim të shkurtuar 4 vite e 8 muaj burg. Duke marrë parasysh rrethanat e tjera, pezullohet dënimi me burg dhe vitet në prove për 5 vite.

SPAK gjithashtu kërkoi që të konfiskohet vila në pronësi të Fatime Kryemadhit që sipas Prokurorisë edhe pse justifikohet me burime të ligjshëm është ekuivalente e shumës që dyshohet se ka pastruar.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje, aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›