E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK kërkon ekstradimin e të arrestuarit në Francë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëri të ditur se është arrestuar në Francë shtetasi E.B., ndaj të cilit në Shqipëri është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për një sërë veprash penale, ndërsa është kërkuar ekstradimi i tij drejt vendit.

Sipas SPAK, ndaj E.B. zhvillohen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025 për veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Prokuroria bën të ditur se më 15 dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj E.B. dhe E.A., ndërsa më 24 dhjetor 2025 u kërkua shpallja e tyre në kërkim ndërkombëtar përmes Interpol Tirana, me “Red Notice”.

Sipas SPAK, më 19 qershor 2026 u kërkua mbështetja e autoriteteve franceze, pasi dyshohej se E.B. ndodhej në territorin e Francës. Në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI), Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore Franceze (DNPJ), Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO) dhe strukturat e tjera ligjzbatuese franceze, u zhvilluan hetime që çuan në lokalizimin e tij dhe identifikimin e disa aseteve me origjinë të dyshuar kriminale.

SPAK njofton se në Francë janë identifikuar llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete motorike. Për këto pasuri, si edhe për asete të tjera që mund të evidentohen gjatë hetimeve, u është kërkuar autoriteteve franceze ndihmë juridike për sekuestrimin e tyre.

Sipas SPAK, E.B. u arrestua më 24 korrik 2026 nga autoritetet franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it. Gjykata franceze vendosi vazhdimin e paraburgimit të tij për qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë.

SPAK bën të ditur se, me kërkesë të saj, autoritetet franceze kanë kryer kontrolle personale dhe në disa ambiente në pronësi të E.B., ku janë sekuestruar materiale që vlerësohen me interes për hetimin penal.

Prokuroria e Posaçme ka përcjellë përmes Ministrisë së Drejtësisë kërkesën zyrtare për ekstradimin e E.B. nga Franca në Shqipëri, ndërsa hetimet financiare vijojnë paralelisht me synim sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë të dyshuar kriminale.

SPAK falënderon Policinë e Shtetit, Interpol Tirana, autoritetet ligjzbatuese franceze dhe magjistratin ndërlidhës të Francës për bashkëpunimin në realizimin e operacionit.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›