E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SPAK kërkon kthimin e Berishës në arrest shtëpie, Apeli i GJKKO-së cakton gjyqtarin që do të shqyrtojë ankimimin

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Është caktuar gjyqtari i cili do të shqyrtojë ankimimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për rikthimin në “Arrest shtëpie”, të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pandehur për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Engert Pëllumbi, i cili do të shqyrtojë ankimin e SPAK ndaj vendimit të GJKKO-së, për lirimin e Berishës nga masa “Arrest në shtëpi” më datë 27 nëntor.

Ishte gjyqtarja Flojera Davidhi që pranoi kërkesën e bërë nga avokatët e ish-kryeministrit se nuk ekzistonte asnjë kusht apo nevojë për të vijuar ndaj tij masa e sigurisë, sa kohë edhe hetimet kanë përfunduar.

Ish-kryeministri Sali Berisha qëndroi i izoluar në banesën e tij për rreth 11 muaj, pasi refuzoi që të zbatonte masën “Detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij, duke e konsideruar si antikushtetuese.

Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›